Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Strudel me dardhë dhe copëza çokollate

Strudel me dardhë dhe copëza çokollate
September 04
19:52 2017

E dini tashmë që strudelin e kam qejf shumë dhe përherë do të krijoja ide pa fund me të, por me një ndryshim që mua nuk më pëlqen, me brumin e tij të recetës origjinale por të bërë me petat tona të byrekut.

Përbërësit: 

1 pako me petë byreku

4-5 dardha

3 lugë me pikla çokollate të zezë. Në mungesë mund të grini trashë 1 pllakë çokollate.

2 lugë rrush të thatë

1 lugë stika pishe

1 lugë bajame ose lajthi të grira trashë për sipërfaqen

Pak gjalpë i shkrirë

2-3 lugë sheqer kaf në varësi sa të ëmbël e doni (për mua që s’e kam qejf shumë të ëmblën një lugë brenda mjaftoi sepse luga tjetër na duhet për spërkatjen sipër)

lëngu i 1 limoni

Pakëz kanellë

Biskota të mbetura rreth 2 duar ose mund të përdorni dhe biskota me çokollatë

1 lugë qumësht për të lyer sipërfaqen

Përgatitja:

Qëroni  dardhët dhe pritini në copa të vogla. Lërini të rrinë të spërkatura sipër me lëngun e gjysmë limoni që mos të nxihen ndërkohë që përgatisni përbërësit e tjerë.

Vendosni edhe rrushin e thatë të pushojë në ujë.

Thërrmoni biskotat në copëza të mëdha dhe thekini paksa në një tigan që nuk ngjit që të bëhen krokante dhe në këtë mënyrë gjatë pjekjes do të thithin edhe lëngun që do të lëshojnë dardhat.

Tani kulloni dardhat nga lëngu që kanë lëshuar, vendosini në një tas dhe përziejini me copëzat e çokollatës, stikat e pishës, rrushin e thatë, 1 lugë sheqer, pakëz kanellë dhe 2 lugë gjalpë të shkrirë. Përziejini.

Shtroni nja 10 petë byreku të lyera me gjalpë ndërmjet tyre. Spërkatni fundin në mes me biskota dhe pjesën që mbetet nga biskotat përziejeni me dardhën dhe çokollatën.

Vendosni  në mes të petëve mbushjen me dardhë dhe palosini petët një nga një duke i mbyllur në formën e një pakoje.

Kthejeni palosjen përmbys, lyeni sipërfaqen me pak gjalpë të përzierë me qumësht, spërkateni me sheqerin e mbetur dhe bajamet e grira ose lajthitë.

Vendoseni të piqet në furrën e nxehur më parë në 180°C derisa të theket mirë sipër.

Burimi: Adda’s All

Komento
Shperndaje