Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Si ndryshon metabolizmi juaj me kalimin e viteve dhe çfarë duhet të bëni për këtë

Si ndryshon metabolizmi juaj me kalimin e viteve dhe çfarë duhet të bëni për këtë
May 25
12:46 2016

Vjen një moment kur thjesht përballeni me realitetin: edhe pse keni ngrënë shëndetshëm për një kohë të gjatë dhe keni qenë aktiv, sërish vini re se keni shtuar disa kile. Ose një rast tjetër është kur ktheheni nga pushimet, keni marrë disa kilogramë dhe është e pamundur t’i hiqni këto të fundit me shpejtësinë që bënit dikur. Ndoshta nuk e dini përgjigjen për të gjitha këto raste: metabolizmi juaj po ngadalësohet.

Dr. Caroline Caderquiest, e cila është edhe autore e një sërë librash mbi dietat, është e mendimit se edhe pse është ndryshe për trupa të ndryshëm, metabolizmi ngadalësohet me kalimin e viteve. Kjo fillon që në të 20-at dhe 30-at tuaja, por ka raste kur fillon vetëm në të 40-at apo 50-at. Por pavarësisht kësaj, është e rëndësishme të dini se si funksionon metabolizmi juaj në mënyrë që të dini edhe si të veproni.

Ja se si mund të shpejtoni veprimtarinë e metabolizmit tuaj çdo dekadë:

  1. Në moshën 20-vjeçare

Në këtë moshë arrihet pika kulmore e veprimtarisë së metabolizmit, saqë ky i fundit humb kalori edhe në gjendje qetësie, si për shembull kur qëndroni ulur. Deri në moshën 25-vjeçare kockat tuaja janë ende në rritje, çka bën që edhe kaloritë që humbni të jenë më të shumta, por pas kësaj moshe duhet të dini se vitet e “pakujdesisë” kanë mbaruar, ndaj duhet të ndihmoni metabolizmin tuaj duke e kthyer rutinën e të ngrënit në më të shëndetshme si dhe të nisni të ushtroheni rregullisht.

2. Në moshën 30-vjeçare

Nëse deri në moshën 30-vjeçare nuk keni nisur të ushtroheni fizikisht, ky është momenti kur duhet patjetër ta mendoni seriozisht. Aktiviteti i metabolizmit tuaj, sidomos në këtë periudhë, lidhet direkt me masën tuaj muskulore. Problemi qëndron në faktin se sapo hyni në të 30-at masa muskulore nis të ulet, ndaj dhe stërvitja duhet t’i dedikohet forcës 3 ose 4 herë në javë.

3. Në moshën 40-vjeçare

Për shumë njerëz, kjo është mosha e dietave pa rezultat. Ajo çka duhet të bëni në këtë moshë nuk është të hiqni dorë nga dietat, por thjesht duhet të krijoni dietën tuaj të shëndetshme personale, çka do të thotë se nuk duhet të konsumoni më shumë se 2000 kalori në ditë dhe duhet ta shoqëroni këtë me aktivitet fizik jo shumë të rënduar. Gjithashtu në këto vite duhet të konsumoni më shumë proteina dhe duhet të hiqni dorë nga darkat e orëve të vona.

4. Në moshën 50-vjeçare

Shumica e grave hyjnë në periudhën e menopauzës rreth moshës 51-vjeçare dhe ajo çka ndodh është ulja e menjëhershme e prodhimit të estrogjenit dhe progesteronit, çka gjithashtu shkakton humbje të madhe të masës muskulore dhe kockore. Ajo çfarë duhet të bëni është të ushtroheni fizikisht në mënyrë të vazhdueshme dhe sigurisht nuk duhet të konsumoni shumë sheqerna. Monitoroni me kujdes karbohidratet dhe përdorni më shumë proteina dhe vitamina.

Shperndaje