Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Periodat te gratë – mitet, trajtimet dhe arsyet pse ato vuajnë në heshtje

Periodat te gratë – mitet, trajtimet dhe arsyet pse ato vuajnë në heshtje
April 11
13:01 2016

Catherine nuk u vinte shumë rëndësi periodave në të njëzetat dhe tridhjetat e saj, sepse në kohën e periodave ajo ndjente pak dhembje në stomak për një ose dy ditë, por me një paracetamol dhe një shishe me ujë të ngrohtë në bark, çdo dhembje kalonte lehtësisht. Shumë herë ajo madje e harronte faktin që një herë në muaj do të kishte dhembje prej periodave. Por fiks pasi kaloi të dyzetat gjithçka ndryshoi.

Për çdo muaj, asaj i duhej të përballonte simptoma të rënda gripi dhe dhembje të mëdha në shpinë.

“Kur jam në pritje të periodave, filloj të ndihem shumë e nxehtë, pasi nis të rritet temperatura. Fill pas kësaj kam një gjendje gripale dhe sikur mos të mjaftonte kjo, e gjitha shoqërohet me një dhembje të tmerrshme koke”, – shprehet Catherine, që tanimë është 44 vjeç.

“Ka raste kur periodat ndikojnë aq keq tek unë, saqë nis e depresionohem. Ndihem e acaruar nga fëmijët e mi dhe ofendohem gati-gati për çdo batutë miqësore që mund të shprehin miqtë apo familjarët e mi. Prej kësaj ndihem sikur nuk mund të punoj, nuk mund të jem produktive, pjesë e kësaj në fakt është edhe dhembja e madhe që ndiej. E gjithë kjo zgjat për një javë dhe kur periodat vijnë gjithçka ndërpritet”, – vijon të thotë Catherine.

Historia e Catherine nuk është e panjohur dhe e padëgjuar më parë. Kjo sepse shumica e grave në të njëjtën moshë përjetojnë të njëjtën gjë.

Profesori John Studd thotë se pavarësisht se mendohet se simptomat e periodave janë më të rënda gjatë moshës së adoleshencës, kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai thotë se pika kulminante e çrregullimeve dhe dhembjeve prej periodave është në fundin e të tridhjetave dhe në fillimin e të dyzetave. Por sipas tij, më e keqja është se këto gra nuk përdorin as ilaçe apo forma të tjera lehtësuese.

“Shpesh grave u thuhet se ato kanë një depresion të moshës apo një çrregullim bipolariteti. Ose në raste të tjera thjesht u injorohet ajo që ato shprehin për sa u përket dhimbjeve që ndiejnë” – thotë profesori Studd.

Sipas tij, kjo bëhet shkak që gratë të humbin besimin te vetja dhe ta kenë të pamundur të mendojnë qartë. Ndërsa sa i përket atyre grave që përdorin ilaçin kontraceptiv, që thuhet se është lehtësues për dhembje të ciklit, profesori Studd argumenton se ato gra që përdorin këtë ilaç kanë njëfarë kontrolli mbi këto simptoma dhe ndaj ato ngjajnë më lehtësuese.

Por çfarë mund të bëhet për t’i lehtësuar natyralisht këto simptoma? Kryesorja është dieta ushqimore dhe ndryshimi i rutinës së përditshme. Të qenit aktiv dhe të shëndetshëm ndihmon në parandalimin e shumë dhembjeve për sa u përket periodave. Mirëpo profesori Studd, thotë se në raste kur dhembja është e madhe, mund të përdoren edhe ilaçet qetësuese, edhe pse ai  mendon se aktualisht ka një mungesë studimi për gjetjen e një ilaçi që do t’i ndihmonte femrat të shpëtonin përjetësisht nga dhembjet e periodave.

“Askush nuk është i interesuar”, – thotë ai. “Ekspertët mjekësorë nuk duan ta dinë dhe psikoterapistët nuk duan të dëgjojnë faktin se hormonet luajnë një rol të rëndësishëm në ndjenjat dhe sjelljen e grave, ndaj shumë përgjigje duhen gjetur pikërisht te vëzhgimi më me seriozitet i simptomave të ciklit të tyre. Por pikërisht sepse as mjekësisë dhe as psikologjisë nuk u intereson ta shohin problemin në këtë spektër, janë gratë ato që supozohet t’i tolerojnë dhembjet e periodave, të mos ekzagjerojnë mbi to dhe sigurisht të mos flasin shumë se çfarë dhembjesh ndiejnë kur janë përpara ciklit…”, – ka përfunduar profesori Studd.

Etiketimet
Shperndaje