Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kontraceptivi i parë oral u miratua si sot 65 vjet më parë. Ja si e ndryshoi historinë

Kontraceptivi i parë oral u miratua si sot 65 vjet më parë. Ja si e ndryshoi historinë
May 10
13:27 2016

Pesëdhjetë e gjashtë vjet më parë, më 9 maj 1960, u aprovua kontraceptivi i parë oral në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej atëherë, pilula ndikoi në historinë e njerëzimit. Me anë të saj, gratë mundën të kontrollojnë plotësisht fertilitetin e tyre dhe të kenë më shumë kontroll në aspekte të tjera të jetës së tyre, në marrëdhëniet seksuale, arsim, punësim.

Historia e pilulës është karakterizuar nga debate të ashpra lidhur rolin e kontraceptivit në jetën publike, debate që vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. E nëse do të ktheheshim mbrapa në kohë, duhet thënë fillimisht se historia e kontraceptivëve shtrihet para shumë shekujsh.

Disa thonë se fillesat i ka në Greqinë e lashtë me mitin e Persephone. Për qindra vjet, njerëzit u janë referuar recetave për kontraceptivët bimorë që kanë kaluar vit pas viti, deri sa një burrë në shekullin e 13-të, që më pas u bë Papë, shkroi një libër.

Megjithatë, kërkimi për kontraceptivët oralë nisi në mesin e shekullit të 20-të, kur Margaret Sanger hapi klinikën e parë të kontrollit të lindjeve në SHBA në 1916-n, që u ndoq dhe nga një sërë kërkimesh shkencore. Në 1950-n, ajo u mbështet nga Katharine Dexter Mçormick, aktiviste e të drejtave të grave, për të financuar kërkime të mëtejshme që sollën përparime.

Doktori John Rock zgjodhi në 1956-n Porto Rikon për të kryer studimet e tij. Kjo për shkak se Porto Riko kishte një popullsi me numër më të qëndrueshëm femrash, por për më tepër provat klinike ishin të lejuara, krahasuar me SHBA-në, ku në shumë shtete promovimi i kontraceptivëve ishte i paligjshëm.

Pasi gjykoi si të suksesshme provat klinike, FDA (The Food and Drug Administration) miratoi përdorimin e kontraceptivëve për rregullimin e menstruacioneve. Menjëherë pas miratimit, numri i grave që raportuan parregullsitë në ciklin e menstruacioneve  u rrit. Në 1960-n u miratua përdorimi i kontraceptivit të quajtur “Enovid”. Pavarësisht miratimit, promovimi i kësaj pilule ishte ende i paligjshëm në shumë shtete.

Nisja e përdorimit të kësaj pilule për të kontrolluar fertilitetin nuk kaloi pa polemika, për shkak të nivelit të lartë të hormoneve që shkaktonte krahasuar me medikamente të tjera të ngjashme. Përkundër këtyre problemeve, përdorimi i pilulës u bë shumë popullor. Deri në vitin 1967, 13 milionë gra ishin përdoruese të pilulës në mbarë botën. Ky numër u rrit në rreth 50-80 milionë në vitin 1984 dhe më shumë se 100 milionë në ditët e sotme.

Pas miratimit të përdorimit të saj janë reduktuar vdekjet e nënave dhe foshnjave, si dhe është shënuar rënie sa u përket lindjeve të padëshiruara. Që nga viti 1965, numri i grave që marrin pjesë në fuqinë punëtore amerikane është trefishuar, ndërsa përgjatë viteve 1960-2013, numri i grave të arsimuara u rrit nga 5.8 në 37 për qind.
Kështu, kjo pilulë ndikoi ndjeshëm në edukimin e grave, në rritjen e rolit të tyre në fuqinë punëtore si dhe gëzimin e të drejtave themelore të njeriut, më parë të kufizuara.

Komento
Etiketimet
Shperndaje