Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Djali autik flet për herë të parë: “Do flas, po tani do flas”

Djali autik flet për herë të parë: “Do flas, po tani do flas”
April 02
08:08 2016

 

Në kuadër të muajit të autizmit, në puntatën e parë të prillit, moderatori Arian Çani i “Zonë e lirë” ka zgjedhur ta trajtojë këtë temë me anë të historisë së një djali të vogël. Ai quhet Mikel, sot 9 vjeç dhe i diagnostikuar në moshë të vogël me autizëm. Historia e tij, përveçse prekëse, mbart në vetvete një mesazh tepër domethënës, çka e bën Mikelin të tregojë edhe ai historinë e tij nëpërmjet programit. Si dhuratë me vete kishte marrë një pikturë, mbi të cilën duart e vogla kishin vizatuar personazhe filmash për fëmijë që ai tashmë ua thotë emrat. Miki jeton prej vitesh në Greqi me prindërit dhe motrën e tij më të madhe, Sarën. Tri ditë pasi erdhi në jetë, ai kaloi temperaturën e lartë 41 gradë, e cila i shkaktoi infeksion në gjak e shumë dëme të tjera. Edhe pse situata u tejkalua, pas dy vitesh prindërit e tij kuptuan se i vogli nuk mund të shihte qartë dhe as të fliste, por mjekët i siguruan se ishte thjesht një situatë e zakonshme për moshën e tij dhe nuk kishte vend për shqetësim. Pak kohë më vonë, prindërit e vizituan të birin në Greqi duke shpresuar për një përgjigje dhe aty morën vesh se fëmija i tyre kishte sjellje të autizmit. Në moshën 5-vjeçare, Miki ende belbëzonte derisa një ditë dëgjoi një këngë që i tërhoqi vëmendjen dhe foli pa belbëzuar për të parën herë: “Do flas, po tani do flas”- këndoi ai, aq sa prindërit e shikonin por nuk po u besonin veshëve. “Njerëzit që takoj çdo ditë”, e kënduar nga Renis Gjoka, ishte frymëzimi i Mikelit, ashtu si edhe fjalët që ai shqiptoi. I përballur sot me djalin që u dha jetë dhe më shumë kuptim fjalëve të këngës së tij, Renisi dukej i prekur në emision, ku këndoi njëzëri me Mikelin refrenin e këngës. Mikeli nuk ngurronte t’i këndonte sërish dhe sërish me po të njëjtin ngazëllim  fjalët e këngës, të cilat i dhanë kuptim jetës së tij.

Shperndaje