Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Çfarë e shkakton autizmin?

Çfarë e shkakton autizmin?
March 19
20:07 2016

Një nga misteret e mëdha dhe të qëndrueshëm të autizmit është se çfarë i ndodh trurit që zhvillohet ndryshe. Diferencat midis sjelljeve të shumë autikëve janë të dukshme, saqë duket sikur shkaqet janë të qarta. Por studimet e 70 viteve të fundit kanë hedhur poshtë këtë hipotezë. Duke ngecur në një boshllëk informacioni janë hedhur hipoteza të ndryshme në lidhje me shkaqet e autizmit: televizioni, linjat e energjisë, vaksinat dhe pozicioni i seksit gjatë ngjizjes. Në vitet 1950 -1960 ka pasur bindje se autizmi shkaktohej nga ftohtësia e prindërve ndaj fëmijës. Termi “nëna frigorifer” përdorej shpesh për nënat e këtyre fëmijëve. Leo Kanner , njeriu i parë që përshkroi sjelljet që karakterizojnë autizmin, shpjegoi se “një mungesë e vërtetë e ngrohtësisë së nënës” është një shpjegim i mundshëm për autizmin. Ky përfundim i pasaktë la një shenjë të hidhur turpi dhe faji në komunitetin autik për të paktën dy dekada.
Që nga kjo kohë, studimi është fokusuar në faktorët biologjikë që mund të çojnë në sjellje autike. Një shumëllojshmëri e faktorëve gjenetikë ka të ngjarë të jetë shkaku përfundimtar në të shumtën e rasteve. Këta faktorë mund të veprojnë vetëm ose në kombinim me faktorët e mjedisit për të udhëhequr trurin e fëmijës të zhvillohet në mënyra të ndryshme dhe të rezultojë në autikë.
Faktorët gjenetikë:
Anomalitë gjenetike të sakta që mund të çojnë në rastet e tjera të autizmit nuk janë krejtësisht të qarta. Ka dy arsye për këtë.
E para është se rajonet gjenetike të përfshira janë shumë komplekse. Shkencëtarët kanë nevojë të zhvillojnë teknika të reja për t’i shqyrtuar ato.
E dyta është se mutacionet gjenetike janë shumë të rralla dhe komplekse. Zinxhiri i ADN-së që formon kromozomet tona përmban më shumë se 3 miliardë blloqe ndërtimi. Për të identifikuar copa të vogla të ADN-së që mund të lidhen me zhvillimin e autizmit në mesin e kaq shumë çifte bazash, shkencëtarët duhet të studiojnë një numër shumë të madh të njerëzve autikë.
Një pjesë e vogël e rasteve të autizmit ka gjithashtu të ngjarë të jetë shkaktuar nga ato që  njihen si mutacione de novo (të reja). Vezoret dhe spermatozoidet që krijojnë embrionin përmbajnë informacion gjenetikë të të dy prindërve respektivisht, por ka edhe raste të rralla kur materiali gjenetik nuk gjendet te prindërit.
Faktorët mjedisorë:
Disa faktorë mjedisorë gjatë jetës para lindjes së foshnjave lidhen me autizmin. Janë gjetur infeksione bakteriale ose virale te nëna gjatë shtatzënisë duke rritur rrezikun e autizmit te pasardhësit.
Kjo mund të jetë për shkak të kalimit të organizmave të dëmshëm infektivë nga nëna te fetusi nëpërmjet placentës ose për shkak të përgjigjeve imune të nënës, që mund të jenë të dëmshme për trurin në zhvillim të fetusit.

Ekziston një periudhë kyçe, dy vitet e para të jetës, kur një numër i vogël i fëmijëve të diagnostikuar më vonë me autizëm kanë pasur një rritje të dukshme në normën e rritjes së kokës.
Gjatë dy viteve të para të jetës, madhësia e kokës së një fëmije është një tregues i arsyeshëm i madhësisë totale të trurit dhe për shumë vite “gunga e trurit” gjatë zhvillimit të hershëm është parë si një faktor rreziku për një diagnozë të mëvonshme të autizmit.
Disa studime për matjen e ultratingujve para lindjes kanë gjetur prova për ndryshimet në rritjen e trurit në fetus të diagnostikuar më vonë me autizëm. Jo çdo individ me autizëm ka dallime në madhësi apo modelin e rritjes së rajoneve të ndryshme të trurit. Për ata individë te të cilët ndodh, është e paqartë se si mund të lidhet me sjelljet e tyre autike.

Shperndaje