Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ataku kardiak, dy histori ku vetëm njëra rrëfen mbijetesën

Ataku kardiak, dy histori ku vetëm njëra rrëfen mbijetesën
May 17
15:56 2016

Statistikat tregojnë se mbijetesa ndaj atakut kardiak është dyfishuar që nga vitet ’70. Por ka shenja shqetësuese rreth një rritjeje në pakujdesi ndaj pacientëve sidomos në sektorin e sëmundjeve kardiake. Çdo shtatë minuta një njeri në Britani pëson atak kardiak. Ataku ndodh kur muskuli i zemrës furnizohet pjesërisht me gjak ose bllokohet dhe duhet ta dini se kjo është e rrezikshme për jetën tuaj.
Në Angli rreth 50 mijë burra dhe 32 mijë gra pësojnë sulme kardiake dhe rreth gjysma e tyre humbin jetën si pasojë e tyre. Ju tregojmë dy raste kur dy meshkuj që pësuan atak kardiak iu drejtuan spitalit, por vetëm njëri prej tyre shpëtoi.

Mark Jeffries, 52 vjeç, baba i tre fëmijëve, është një mekanik nga West Drayton, Londër, i cili pësoi një atak kardiak në shtator të 2012-s.
1. Fillimi, dhembje në kraharor: Kurrë nuk do e harroj atë moment. Fillimisht kisha një dhimbje të mprehtë në gjoks, një minutë më vonë më ikte e në tjetrën sërish më kthehej ndjesia. Nuk e kuptova që në fillim që ishte një sulm kardiak. Unë kam qenë gjithnjë i shëndetshëm, jam trajner në një skuadër futbolli për fëmijë dhe nuk pi duhan. Mendova se kisha probleme me tretjen dhe nuk vrapova për në spital por pas 20 minutash u përkeqësova. Një koleg më çoi në një spital që trajton së tepërmi sëmundjet kirurgjikale.
2. Mbërritja në spital: Mbërrita në spital 40 minuta pas dhembjeve të para. Dhembjet nuk kishin të ndalur dhe ndieja sikur do më shpërthente kraharori. Isha shumë i nxehtë dhe i djersitur.
3. 5 minuta më vonë: Infermierja  më vendosi në një karrocë. Menjëherë më lidhi me pajisjen ECG dhe më dha një aspirinë për të holluar gjakun. Më mori mostrat e gjakut dhe i dërgoi në laborator. Infermierja pa aparatin dhe më tha se do të më çonin në dhomat ku shtrohen pacientët e sëmurë rëndë. U frikësova dhe gjithë sytë e mjekëve u përqendruan tek unë dhe aty më thanë se kisha pësuar atak kardiak. Dikush më injektoi diçka në bark për të ndihmuar në parandalimin e koagulimit të gjakut në arterie.
4. Vazhdim: Analizat tregonin nivel të lartë të proteinave, gjë që kishte dëmtuar zemrën. Një nga arteriet ishte bllokuar plotësisht e një tjetër pjesërisht. Vazhdimi ishte i tmerrshëm derisa në fund u normalizova. Të nesërmen e në vazhdim qëndrova vazhdimisht nën mbikëqyrjen e mjekut dhe mora medikamentet e duhura. Ende e takoj kardiologun çdo 4 muaj vetëm për t’u siguruar se gjithçka është mirë.

Postieri pensionist Roger Garrett, 64 vjeç, nga Walthamstow vdiq nga një atak në zemër më 20 korrik të vitit të kaluar në një dhomë spitali në Londër.
1. Fillimi i dhembjes: Roger u kthye nga një shëtitje me mikun e tij Bill kur u ankua papritur se kishte dhembje në kraharor. Ky ishte fillimi i një ataku, por Roger piu një aspirinë dhe u shtri të flinte. Të nesërmen u ankua se kishte kaluar një natë të keqe dhe mori më shumë tableta e të pasnesërmen dhembja nuk po largohej. Pas 2 ditësh Bill e çoi mikun e tij në spital. Pas dy orësh asnjë specialist nuk e kishte vizituar ende. Mjekët dëgjuan shpjegimin më në fund, por e çuan në dhomën e pritjes. Aty ndodhi. Ata u përpoqën ta risillnin në vete duke pompuar mbi kraharorin e tij dhe duke i bërë frymëmarrje artificiale.
2. Pas 45 minutash mjekët njoftuan mikun e tij Bill se gjendja ishte e rëndë dhe kur Bill u fut në dhomë dhe e pa të shtrirë dhe të rrethuar nga tubat, ai tashmë kishte vdekur.

Ja pse mjekët duhet të jenë shumë të kujdesshëm me çdo pacient, pasi Roger-it nuk iu dha asnjë ndihmë e shpejtë, u la në pritje dhe nuk mori asnjë medikament. Ai sot mund të ishte mes miqve dhe të dashurve të tij. Kini kujdes, nëse keni dhembje të kraharorit mos rrezikoni, por vizitoni menjëherë mjekun.

Shperndaje