Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A na rrezikojnë antenat e kompanive të telefonisë celulare? Flet eksperti Rustem Paci…

A na rrezikojnë antenat e kompanive të telefonisë celulare? Flet eksperti Rustem Paci…
August 05
15:13 2016

Një nga çështjet më shqetësuese për banorët e qyteteve, por që ndërkohë nuk merr vëmendjen e duhur mediatike lidhet me rrezikun e rrezatimeve që mund të vijnë nga antenat e kompanive të telefonive celulare operuese në Shqipëri, që vendosen në tarracat e pallateve.

Mjafton të bësh një xhiro nëpër rrugët e qyteteve për të dalluar lehtësisht se numri i antenave është rritur shumë dhe banorët janë të pafuqishëm të ankohen apo të marrin informacionin që u nevojitet.

Shumëkush mendon se rrezet e lëshuara nga antenat që shërbejnë për shpërndarjen e valëve janë të dëmshme për jetën e njerëzve e për këtë ato duhen lëvizur urgjentisht.

Për të qenë më të qartë rreth kësaj teme, për rreziqet me të cilat përballen ose jo banorët, për procedurat që duhen kaluar për vendosjen e antenave në zonat e banuara apo për kontrollet që kryhen, Blitz.al ka kontaktuar përgjegjësin e Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet pranë Institutit të Shëndetit Publik, zotin Rustem Paci.

Ai fillimisht kërkon të shpjegojë se këto rrezatime ngatërrohen me rrezatimet jonizuese, duke e krahasuar antenën me një burim radioaktiv, i cili është i ndryshëm nga ai jojonizues i antenave në fjalë.

Më tej, z.Paci flet për mungesën e besimit të qytetarëve:

“Një arsye është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet publikut, medias dhe institucioneve përgjegjëse. Duhet që informacioni që jepet të bazohet në informacione apo studime  të vërteta, në mënyrë që publiku të njihet më shumë me këto rrezatime. Informacioni i gabuar dhe i dhënë nga persona jo kompetentë në këtë fushë krijon një efekt negativ në publik”.

Sipas tij, deri në këtë moment shqetësimet janë thjesht hamendësime dhe askush nuk ka paraqitur referencë ndërkombëtare të besueshme.

Pyetjes se si bëhet vlerësimi i një antene që do të vihet dhe për rrezikun që hasin qytetarët pranë vendit ku ajo do të pozicionohet, ai i përgjigjet:

“Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet bën vlerësimin nëpërmjet ekspertëve të njohur në këtë fushë, të cilët përcaktojnë zonën kritike të çdo antene, jashtë së cilës nivelet e densitetit të fuqisë së fushës EM (ose intensitetit të fushës elektrike/magnetike) të rrezatimit janë më të ulëta se nivelet e referencës të  përcaktuara, nën të cilat sigurohet mbrojtja e publikut. Vlerësimet të fushës elektromagnetike bazohen në standardin europian”.

Lidhur me pyetjet se si kryhet procedura e kontrollit nga ZMR dhe se çfarë ndodh nëse një nga kompanitë kryen modifikime pak kohë pas instalimit të antenës, ai përgjigjet:

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, çdo person fizik ose juridik që ushtron veprimtari me burime të rrezatimit jojonizues është i detyruar të pajiset me akt miratimi nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi,  i cili është i përhershëm për sa kohë nuk ka modifikime apo ndryshime të fushës elektromagnetike të gjeneruar.

Në zbatim të rregullores nr. 743, datë 16.10.2012, “Për mbrojtjen e publikut nga rrezatimet jojonizuese”, pika 4.6, theksohet: “Në instalimin e burimeve të reja, personat fizikë/juridikë marrin në konsideratë edhe shpërndarjen e rrezatimit jojonizues të instalimeve ekzistuese. Në rast se një person fizik/juridik i ri synon të instalojë burime të reja në një pikë ku gjenden burime ekzistuese të tij ose personave fizikë/juridikë të tjerë, atëherë burimet e reja duhet të gjenerojnë rrezatim deri në diferencën midis kufirit të lejuar dhe shumatores së burimeve ekzistuese. Në rastin kur personat fizikë/juridikë janë ekzistues dhe shumatorja e burimeve të instaluara e kalon kufirin, atëherë të gjithë personat fizikë/juridikë ulin fuqitë e burimeve në nivel të barabartë të ponderuar, në mënyrë që të gjithë personat fizikë/juridikë së bashku të respektojnë limitet”.

Bazuar në shifrat e marra nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet rezulton se janë pajisur me akt miratimi 445 antena, të cilat i përkasin të katër kompanive të transmetimit celular. Numri i antenave celulare në total në të gjithë Shqipërinë të pajisura me akt miratimi deri në këto momente nga KMR është 1150.

E pra, një shifër e lartë kjo që dëshmon për intensitetin e valëve që qarkullojnë “mbi kokat tona”, për të cilat shumë pak janë ata që kanë informacionin e nevojshëm për t’u qetësuar ose për të shfaqur ankesën në institucionet përgjegjëse.

Një problem i rëndësishëm që lidhet me miratimin për vendosjen e këtyre lloj antenave është pikërisht konsultimi me banorët e pallateve, të cilët kurrsesi nuk vihen në dijeni për aksione të tilla, për të mos folur këtu për bisedime të përbashkëta apo marrje lejeje.

Gjithsesi, zoti Paci kërkon që në fund të qetësojë të gjithë qytetarët duke siguruar seriozitetin punës së Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet:

“Miratimi i ligjit për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese, si dhe rregulloreve e procedurave në këtë fushë është një hap i rëndësishëm për vendin tonë mbështetur në direktivat europiane. Ky proces është një proces i ri që ka nisur në vitin 2013 dhe është në vazhdim. Sigurojmë që objekti kryesor i punës së KMR dhe ZMR është mbrojtja e publikut nga rrezatimet jojonizuese (elektromagnetike) dhe se çdo vendim që duhet të marrin në lidhje me pajisjen e veprimtarive me burime të rrezatimit jojonizues me akt miratimi do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Garantojmë seriozitetin tonë institucional për këtë çështje”.

Pra ende nuk flasim dot për studime të mirëfillta të cilat legjitimojnë ose hedhin poshtë frikërat tona, ajo që ngelet është thjesht shpresa se autoritetet përkatëse po e bëjnë mirë punën e tyre… /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje