Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tortë me çokollatë

Tortë me çokollatë
September 17
14:56 2016

E keni parasysh atë ndjesinë që doni të hani diçka shumë të mirë dhe të mos ju bjerë ndërmend fare për gramët që do të shtoni? Doni atë ëmbëlsirën që në çdo lugë që do hani t’ju çojë në parajsë?

Kjo tortë bën për ju!

Përbërësit:

Për pandispanjën:

3 vezë të plota

8  të verdha vezësh

200 g miell 00

50 g niseshte patateje

50 g kakao pluhur pa sheqer

100 g sheqer

16 g pluhur për ëmbëlsira

100 g çokollatë e zezë

2-3 lugë qumësht

pak kripë

 Për kremin me çokollatë:

  • 500 ml pana e freskët
  • 4 lugë sheqer
  • 500 g çokollatë e zezë
  • 40 g gjalpë
  • arra dhe bajame për dekorim

 Përgatitja:

Përgatitni kremin e çokollatës, duke vendosur panën të ngrohet mbi zjarr me gjalpin dhe sheqerin. Përziejeni vazhdimisht, derisa sheqeri dhe gjalpi të shkrijnë dhe pana të jetë nxehur, por mos e lini të marrë valë. Shtoni në të edhe çokollatën  e copëtuar. Përziejeni derisa çokollata të shkrijë e gjitha. Kalojeni të gjithë enën në banjëmari, me akull dhe ujë dhe përziejeni kremin me rrahësin elektrik,  për rreth 10 minuta, derisa të bëhet pak me shkumë. Vendoseni në një qese pastiçerie, me grykën në formë ylli. Vendoseni në frigorifer te fresku të ftohet.

Përgatitni pandispanjën, duke rrahur me përzierësin elektrik vezët e plota me sheqerin, për rreth 15 minuta ose sa të shikoni që masa është zbardhur dhe është bërë me shkumë. Shtoni të verdhat e vezëve një nga një dhe rrihini përsëri për 20 minuta të tjera.

Ndërkohë shkrini çokollatën e zezë në banjëmari dhe lëreni të ftohet. Bashkoni miellin me kakaon, niseshténë dhe pluhurin e ëmbëlsirave dhe pakëz kripë. Shtojini te vezët, duke i situr miellin e përzier me kakaon dhe pluhurin e ëmbëlsirave dhe përziejini ngadalë me një spatul kuzhine nga lart-poshtë, që të mos ulni volumin e kremit.

Shtoni edhe çokollatën e shkrirë, të ftohur dhe vazhdoni përziejeni, derisa masa të jetë homogjene. Nëse është shumë e trashë, shtoni disa lugë qumësht që ta holloni brumin.

Lyeni një tavë për torta me gjalpë dhe pluhuroseni me miell. Shtoni në të brumin dhe piqeni në furrë për 20-25 minuta, në 180°. Kontrollojeni me një kunj dhëmbësh në mes të saj. Nëse del i pastër është gati. Lëreni të ftohet.

Pasi pandispanja është ftohur, bëjini një të prerë në mes diametrit të saj. Një pjesë që do ta përdorni për bazën, njomeni me pak qumësht dhe lyejeni bollshëm me kremin e çokollatës.

Vendosni bazën tjetër sipër saj. Lyeni pjesën e poshtme të tortës me krem çokollate dhe visheni me arra dhe bajame të grira trashë.

Me pjesën tjetër të kremit të çokollatës bëni forma trëndafilash sipër tortës. Vendoseni në frigorifer. Nxirreni 1 orë përpara se ta shërbeni./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Komento
Shperndaje