Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tortë e kripur me kuinoa, rikota dhe kungulleshka

Tortë e kripur me kuinoa, rikota dhe kungulleshka
July 07
19:04 2017

Mos u trembni nga lista e gjatë e përbërësve të kësaj recete, por mendoni shijen e saj më pas 😛. Zëvendësova bazën e tortave të kripura që zakonisht bëhet me brumë brisè ose frolla me një shpikje të momentit: kuinoan, për ta bërë edhe më të shëndetshme dhe me pak kalori këtë recetë. Ju mund ta shërbeni si një pjatë e vetme të shoqëruar me ndonjë sallatë stine. Po ju lë me recetën dhe nëse e provoni më shkruani në komente se si ju është dukur.

Përbërësit:

Për një tortë me diametër 26-28 cm:

Për bazën:

300 g kuinoa

100 g stika pishe

1 vezë

pak kripë

2 lugë vaj ulliri

 

Për mbushjen:

300 g rikota dhie, por mund të përdorni dhe gjizën tonë të ëmbël

100 ml kos shtëpie

disa gjethe borzilok

2 kungulleshka

disa lule kungulleshkash

një dorë domate qershizë

2 lugë djathë pekorino të grirë

2 vezë

kripë dhe piper i zi

1 thelb hudhër

 

Përgatitja

Fillimisht përgatisni bazën e tortës duke zierë kuinoan në ujë me kripë për 15 minuta. Kullojeni dhe lëreni mënjanë që të humbë gjithë ujin e saj të zierjes. Në blender shtoni farat e pishës dhe grijini imët derisa të bëhen pluhur, pastaj shtoni kuinoan në të, vezën, kripë, vajin dhe përziejini derisa të përfitoni një lloj brumi. Lyeni tavën me pak vaj, mesin dhe anët e saj, dhe shtoni në të brumin. Hapeni mirë me duar mesin dhe në anët e tavës duke e ngjeshur mirë që mos të ketë boshllëqe. Prisni një letër furre sa tava e tortës, lyejeni me pak vajë dhe vendoseni sipër tavës me kuinoa nga ana e vajit kuptohet. Mbusheni me fasule sipër. Kjo shërben që gjatë pjekjes së bazës së tortës ajo të ruajë formën e tavës.  Futeni në furrën e nxehur më parë në 180° dhe piqeni për 30 minuta. 10 minutëshin e fundit hiqni letrën me fasule sipër dhe lëreni bazën e tortës të piqet edhe brenda.

Ndërkohë përgatisni mbushjen duke grirë me rende kungulleshkat dhe hudhrën. Shtojini edhe borzilokun e grirë, vezën, rikotën, kosin, pak kripë dhe piper të zi dhe përziejeni gjithë masën mirë.

Kur baza e tortës të jetë gati shtoni sipër mbushjen e saj. Dekorojeni me domate qershizë dhe lule kungulleshkash të prera fije-fije. Shtoni pak vaj sipër saj dhe piqeni në 200° për 20 minuta ose derisa shikoni që është mpiksur dhe sipërfaqja është bërë e kuqërremtë. Lëreni të ftohet disi para se ta shërbeni. /Blitz.al/

 

Tortë e kripur me kuinoa, rikota dhe kungulleshka

Shperndaje