Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tortë çokollate me lajthi dhe arrë kokosi

Tortë çokollate me lajthi dhe arrë kokosi
February 03
15:55 2017

Përbërësit për një tavë 26-28 cm

  • 6 vezë temperaturë ambienti
  • 100 g sheqer
  • 50 g gjalpë
  • 120 g miell 00
  • 50 g miell arre kokosi
  • 4 lugë kakao
  • 100 ml pana lëngë
  • 250 g çokollatë e zezë
  • 1 pako pluhur ëmbëlsirash
  • 100 g lajthia të qëruara
  • pakëz vanilje
  • pakëz kripë

Për mbulesën e sipërme

  • 250 g pana  të freskët
  • 150 g pana vegjetale për t’u formuar  (e tipit hopla të ftohur mirë në frigorifer)
  • 250 g çokollatë të zezë.
  • 2 lugë qumësht

Përgatitja:

Çokollatën e copëtuar përzieni me gjalpin dhe panën dhe vendoseni të shkrihet gjithmonë duke e përzierë derisa masa të bëhet lisho dhe e shkrifët. Lëreni mënjanë të ftohet.

Ndani të bardhat e vezëve nga të verdhat dhe të bardhat me ndihmën e pakëz kripe formojini në shkumë. Shtoni dhe sheqerin pak nga pak gjithmonë duke i rrahur derisa masa të bëhet kompakte.

Shtoni një nga një dhe të verdhat e vezëve gjithmonë duke i rrahur me përzierësin elektrik.

Përzieni miellin me pluhurin pjekës, kakaon dhe vaniljen pluhur dhe shtojeni duke e situr te masa me vezë.

Përzieni me delikatesë nga lart-poshtë që mos t’i ulni ajrin dhe shfryni masën me vezë. Vazhdoni kështu derisa ta keni përzierë të gjithë miellin.

Në fund bashkoni dhe çokollatën e shkrirë, miellin e arrës së kokosit dhe lajthitë.  Kini parasysh mos ta përzieni fort dhe më shumë seç duhet pasi pandispanja ju del e fortë dhe e ulët.

Lyeni një tavë pjekje me pak gjalpë dhe pluhurosni me miell. Shkundeni tepricën e miellit  dhe derdheni në të brumin.

Piqeni në furrën e nxehur më parë në 170°c për 30-35 minuta, bëni dhe provën e shkopit për të parë nëse ai del i pastër nga torta.

Fikeni sobën dhe lëreni pandispanjën të ftohet plotësisht jashtë furrës.

Ndërkohë përgatisni kremin që do të veshë tortën sipër.

Vendosni panën e lëngshme të nxehet, por mos e lini të marrë valë. Sapo është nxehur mjaftueshëm, shtoni çokollatën e copëtuar. Largojeni nga zjarri dhe përziejeni mirë derisa çokollata të shkrijë,  të bëhet lisho dhe e shndritshme. Vendoseni enën në një banjëmari të ftohtë me akull dhe ujë dhe me rrahësin elektrikë përziejeni mirë e mirë derisa të ftohet komplet dhe të bëhet gati shkumoze.

Vendoseni në frigorifer të pushojë për 40 minuta.

Tani rriheni panën vegjetale derisa të formohet në shkumë.

Nxirrni masën çokollatës nga frigoriferi dhe rriheni përsëri me rrahësin elektrik për të krijuar sa më shumë ajër dhe një masë më të lehtë.

Bashkoni pak nga pak me të dhe panën vegjetale dhe përziejeni me delikatesë këtë radhë me një spatul kuzhine.

Vendosni në frigorifer te fresku të pushojë paksa që të jetë dhe më e formuar për ta dekoruar tortën.

Pasi të gjithë përbërësit janë gati dhe të ftohur me ndihmën e një peneli kuzhine lyeni tortën komplet me pak qumësht sa të zbutet pak sipërfaqja dhe kremi i çokollatës të ngjitet më mirë.

Visheni komplet tortën me kremin e çokollatës dhe nivelojeni mirë nga të gjitha anët. Pjesën që teproi hidheni në një qese kuzhine me grykën yll dhe dekorojeni sipër sipas dëshirës.

Ruajeni në një vend të freskët, por jo në frigorifer.

Mund të rrijë edhe 4-5 ditë jashtë frigoriferit./Blitz.al/

 

Burimi: Adda’s All

 

Shperndaje