Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Torta Sacher

Torta Sacher
March 20
20:10 2017

Përbërësit:

  • 150 g miell
  • 150 g çokollatë e zezë
  • 150 g gjalpë
  • 5 vezë
  • 150 g sheqer
  • 16 g vanilje
  • pak kripë
  • Për mbushjen sipër dhe brenda:
  • 200 g çokollatë e zezë
  • 350 g marmelatë kajsie
  • 150 g sheqer
  • 100 ml ujë

Përgatitja:

Shkrini çokollatën në banjëmari. Shkrini edhe gjalpin dhe bashkojeni me çokollatën. Përziejini mirë dhe lëreni të ftohet disi. Ndani të verdhat e vezëve nga të bardhat. Shtoni të verdhat e vezëve te çokollata e shkrirë me gjalpë, përziejini. Rrihni të bardhat e vezëve dhe formojini në shkumë, shtoni sheqerin dhe vaniljen dhe rrihini përsëri derisa shkuma të jetë e formuar mirë. Shtojini te çokollata pak nga pak duke i përzierë me delikatesë. Kur të gjithë përbërësit të jenë lidhur mirë me njëri- tjetrin është koha të shtoni miellin duke e situr, në ketë mënyrë nuk do t’ju formohen kokrriza. Shtoni edhe pak kripë sa t’ju kapin dy majat  e gishtave.

Lyeni një tortierë të diametrit 24-25 cm me gjalpë dhe miell ose vendosni letër furre poshtë, shtoni në të komposton e brumit. Piqeni në furrën e nxehur më parë në 180° për rreth 40 minuta. Ose bëni provën me një stikadente duke e futur në mes dhe nëse del i pastër atëherë torta është pjekur. Lëreni të ftohet dhe hiqeni nga tortiera dhe lëreni të ftohet plotësisht.

Bëni një prerje horizontale të tortës dhe në njërin disk shtroni 200 g nga marmelata me kajsi. Vendosni sipër gjysmën tjetër të tortës. Shkrijeni pjesën e mbetur të marmelatës që ju ka ngelur dhe kalojeni në një sitë të imët, në mënyrë të tillë që të përfitoni vetëm lëngun e trashë. Me këtë lëngë lyeni komplet pandispanjën dhe anët, me ndihmën e një furçe kuzhine ose spatule. Lëreni të pushojë për 30 minuta. Kjo shërben që pandispanja të thithë gjithë masën e marmelatës së kajsisë.

Ndërkohë përgatitni mbulesën sipër me çokollatë duke përgatitur një shurup me 100 ml ujë dhe 150 g sheqer. Vendoseni në zjarr të ulët dhe shtoni copat e çokollatës duke i përzierë vazhdimisht deri sa të shkrijë komplet dhe të fillojë të trashët. Këtë masë me çokollatë të shkrirë e hedhim sipër tortës dhe e shpërndajmë me spatul gjithandej. E lëmë të mpikset për 20 minuta. Pastaj me ndihmën e një letre duke e bërë në formë konike shtoni në të pak çokollatë të shkrirë dhe shkruani frazën Sacher mbi tortë. Lëreni të pushojë për të paktën 2 orë para se ta konsumoni, në këtë mënyrë gjithë aromat do jenë bashkuar me njëra-tjetrën dhe vetëm atëherë do ndjeni shijen e vërtetë të tortës Sacher./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Shperndaje