Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tiramisù si pastiçierët

Tiramisù si pastiçierët
September 14
18:43 2017

Sa herë e keni provuar në  restorante e pastiçeri këtë ëmbëlsirë e asnjë recetë që keni provuar në shtëpi s’ju ka dalë identike! Sekreti i saj ndodhet  pikërisht te pastorizimi i vezëve për t’i bërë ato më kremoze, më të tretshme për organizmin dhe më të sigurta për shëndetin. Mund të zgjidhni t’i përdorni vezët e plota ose vetëm të verdhat. Unë përdora vetëm të verdhat.

Përbërësit: 

2 pako me biskota Savoiardi

500 g maskarpone

250 g pana për t’u formuar, e tipit hopla, e ftohur mirë

70 g sheqer

25 ml ujë

3 vezë, vetëm të verdhat

3 filxhanë me kafe ekspres

4-5 lugë kakao e zezë pa sheqer

1 lugë sheqer kaf

1 gotë liker Marsala

Përgatitja:

Përgatisni kafen dhe lëreni të ftohet, përzijeni me sheqerin kaf dhe Marsalën.

Rrihni vezët me 1 lugë nga sheqeri derisa të bëhet një masë e fryrë.

Bashkoni  sheqerin me ujin dhe vendoseni në zjarr të bëni një tip sherbeti. Sa të fillojë të marrë valë dhe në sipërfaqe të bëhet me bulëza hiqeni dhe duke e derdhur në fije sipër vezëve përziejeni njëkohësisht me maksimumin e shpejtësisë së rrahësit elektrik. Kujdes se mos i bëni vezët omëletë.

Përziejeni derisa masa të jetë e fryrë dhe lëreni të ftohet.

Pastaj bashkoni me të maskarponen, gjithmonë duke e përzierë me rrahësin elektrik.

Formoni panën në shkumë dhe me delikatesë bashkojeni me maskarponen.

Nëse doni ta bëni me dekor sipër, hiqni një pjesë nga kremi dhe vendoseni në qesen e pastiçerisë me formën që doni.

Lëreni në frigorifer te ngrirja që të mpikset më shpejt.

Pjesa tjetër na duhet direkt për të formuar tiramisù-në.

Në fundin e një tave paksa të thellë bëni një shtresë me pak krem, kaloni nga një biskotë te përzierja me kafe dhe liker por pa e njomur shumë dhe rreshtojini në fundin e tavës. Bëni sipër tyre një shtresë me krem dhe pluhuroseni me kakao. Vazhdoni në këtë rend deri në shtresën e fundit të saj, ku sipërfaqen do ta lyeni me krem dhe dekorojeni me kremin që lamë në ngrirje. Ose në të kundërtën, nëse e doni të thjeshtë, nivelojeni mirë sipërfaqen dhe pluhuroseni me kakao (nëse e doni pa dekor, s’ka nevojë që kremin ta ndani në qesen e pastiçerisë).

Burimi: Adda’s A

Komento
Shperndaje