Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

#tëdielave: Libri i kuzhinës që do jua mbajë të bashkuar familjen çdo ditë të javës!

#tëdielave: Libri i kuzhinës që do jua mbajë të bashkuar familjen çdo ditë të javës!
March 12
18:55 2018

“Çdo shtëpi ka aromën e së dielës…aromën që ju kujfton fëmijërinë, familjen, ngrohtësinë. Aromën që ta njeh shpirti!” – këto janë disa nga fjalët me të cilat Uarda Shahinaj, vajza që qëndron pas blogut të gatimit “Adda’s All” vendos për të shkruar parathënien në librin e saj të ri #tëdielave.

Dhe sikur ta kishte ndjerë, një aromë e mirë ushqimi shtëpie të vjen teksa merr në dorë për herë të parë librin. Ju e dini se Uarda të tillë i koncepton librat e saj, që të ta përçcojnë dashurinë, njësoj siç kishte bërë në librin e saj të parë që korri aq shumë sukses, “Jeto Dashuro Ushqehu”.

Ndryshe nga të gjitha librat e tjerë të gatimit, apo të librave ku zakonisht shefat e mëdhenj vendosin të ndajnë disa sekrete të tyre, Uarda ka vendosur që në kopertinë të mos paraqesë foton e saj portret apo foton e saj duke gatuar, përkundrazi, ajo është “zhveshur” nga portretizimi i asaj që qëndron pas pjatave të mira, duke na dhuruar neve si lexues kështu një komoditet njësoj sikur të ishim të ftuar në tryezën e saj, Një tryezë e ngrohtë, tipike mesdhetare e cila shijon shumë nën diellin që të prek lëkurën dhe flladin e lehtë mes hijeve që të bëjnë pema. Një tyrezë si ajo që Uarda ka zgjedhur për kopertinën e librit të saj.

Por përse Uarda ka zgjedhur ta quajë “#tëdielave”? Në fakt mjafton të bësh një shpletim rutinë të librit dhe e kupton fare qartë se të gjitha rubrikat e ndara në libër me anë të kapitujve kanë një të përbashkët: të japin ndjesinë e shtëpisë. E cila ditë e javës më shumë se sa e diela mund të jetë ajo që lidh ndjesinë e shtëpisë dhe familjen?

Por për të qenë më të qartë, le të nisim një rrugëtim hap pas hapi e të zbulojmë se si e ka organizuar Uarda shijen e të dielës, si e ka përcjellë ajo tek neve si lexues dhe përse duhet ta kemi me patjetër në raftin tonë të librave, atyre që përveçse të mësojnë diçka të re përsa i përket kuzhinës, të përcjellin aromën e duhur nëpërmjet shfeltimit të faqeve, një nga ato libra që sjanë vetëm ‘guidë’ por më së shumti eksperienca të jetuara pas çdo përbërësi të pjatës.

Kapitulli i parë – “Kur mëngjesi takon drekën…brunch”

Nëse ka një fjalë që amerikanët, anglezët por së fundmi shumica e qytetarëve në botë kanë të preferuar gjatë fundjavës është pikërisht “brunch”. Mund ta keni vënë re këtë koncept edhe në menutë e restoranteve që frekuentoni dhe tashmë ka ardhur momenti që jo vetëm ta kuptoni mirë se për çfarë bëhet fjalë por edhe ta gatuani vetë në shtëpitë tuaj “brunch”-in.

Fjala “brunch” vjen nga anglishtja dhe është një përzierie midis “breakfast” (mëngjes) dhe “lunch” (drekë). Zakonisht “brunch” konsumohet nga ora 11:00 e mëngjesit deri në orën 15:00 të drekës. Koncepti që qëndron pas “brunch”-it të fundjavës është se pas një nate festive e me shumë alkool, rrjedhimisht të nesërmen zgjohesh vonë dhe do të konsumosh një vakt që është as mëngjes dhe as drekë, por diçka në mes.

Pikërisht këtë, Uarda na librin “#tëdielave” na e prezanton si një vakt lehtësisht të realizueshëm në shtëpi. Ajo na prezanton rreth 15 receta të ndryshme “brunch”-i të cilat i shpjegon me detaje dhe më interesantja është se ka bërë pjesë të kësaj kategorie edhe një pjatë të quajtur “Trahana Gourmet” ku ajo është përpjekur që të modernizojë disi trahananë origjinale shqiptare duke i ruajtur sigurisht shijen. Jua kishte marrë ndonjëherë mendja që trahanaja të kthehet në një ushqim ‘brunch’-i? Neve jo, ama tani me librin e Uardës do e provojmë menjëherë.

Kapitulli i dytë – “Sot po e marr shtruar…”

Siç mund ta kuptoni edhe nga titulli, Uarda në këtë kapitull ka paraqitur receta të cilat duan përkushtim dhe një dedikim të veçantë. Zakonisht ky dedikim ndaj gatimit ka më shumë shanse të bëhet të dielave kur edhe familja është pushim, megjithatë siç dhe autorja tregon, nuk keni përse e kufizoni veten edhe në ditët e javës.

Kryesisht në këtë kapitull, Uarda ka paraqitur receta për të cilat është frymëzuar nga vendet që ajo ka vizituar. Për shembull: ka një pjatë të frymëzuar nga Santorin-i i Greqisë dhe disa të tjera që kanë kryesisht origjinë mesdhetare. Një ndër pjatat më simpatike të këtij kapitulli është “Një udhëtim në Orientin mesdhetar” që siç Uarda e përshkruan është një pjatë “e dalë nga përrallat e Shehrezades”.

Kapitulli i tretë – “Të pjekësh me dashuri”

Ky është padyshim kapitulli më me shumë receta. Kush e ka ndjekur prej kohësh blogun e gatimit të Uardës me shumë mundësi e di se një nga dashuritë më të mëdha të saj janë pikërisht ëmbëlsirat. Ndaj në këtë kapitull, ajo na mëson se si të pjekim brumin qoftë kur duam të bëjmë një ëmbëlsirë qoftë kur duam të bëjmë një pjatë të kripur me bazë brumin. Uarda na tregon se në fakt ndonëse pjekja duket si një ndër proçeset më të vështira, ajo nuk është aspak e tillë nëse ju i fusni një ingredient shumë të rëndësishëm: dashurinë. Njësoj siç ajo ka bërë. Brumërat e saj thërrasin emrin dashuri.

Për këtë arsye autorja e ka ndarë kapitullin në dy pjesë “të ëmbla” dhe më pas “të kripura”. Ja për shembull, jua merrte mendja se një pjatë shumë interesante siç është ‘fokaçja’ mund të realizohet edhe e ëmbël edhe e kripur?

E ëmbël:

E kripur:

Kapitulli i katërt – “Pasdite me mikeshat”

A ka më mirë se sa t’i thërrasësh mikeshat për një çaj apo kafe në shtëpi, apo qoftë edhe për ndonjë piknik? Duket shumë interesante në parim, por gjithmonë mendojmë “sa mirë do ishte të dinim të gatuanim siç duhet për këtë rast”. Në fakt nuk është kurrë vonë për të mësuar dhe Uarda në këtë kapitull na i bën mëse të thjeshtë realizimin e disa pjatave që janë fantastike për një “dorë muhabet” mes vajzash.

Kryesisht në këtë kapitull autorja në mëson se si të realizojmë biskota dhe disa lloje kekësh të vegjël apo tarta të ndryshme ndërkohë që ajo e cila na i mori menjëherë sytë është pikërisht receta e “Macarons”, biskotave tipike franceze që gjithnjë i kemi dëshiruar nga larg e na janë dukur aq të vështira për tu realizuar. Epo, tani mundemi t’i realizojmë në shtëpitë tona pasi Uarda na i ka dhuruar recetën e saj duke na i thjeshtëzuar shumë punën.

Ndërkohë, nëse mendoni të organizoni një “Festë çaji”, e keni në libër recetën e duhur se çfarë duhet të përfshijë një event i tillë.

Kapitulli i pestë – “Ditët e vjeshtës”

Sa herë mendojmë për vjeshtën, mendojmë për të ftohtin që vjen e asgjë në botë nuk mund ta “luftojë” të ftohtin më mirë se sa një supë e ngrohtë e me përbërës “magjik”. Pikërisht supat janë fjala kyçe e këtij kapitulli. Në disa prej tyre, Uarda na tregon edhe ato përbërës që duhet t’i shtojmë supave me doemos në mënyrë që edhe fëmijët t’i konusmojnë ato me qejf (ju e dini sa e vështirë është t’i bësh fëmijët ti duan supat).

Një ndër recetat më të veçanta të këtij kapitulli është pikërisht “Supa aziatike” (Noodles soup), aq e famshme në restorantet ku shërbejnë kuzhinë aziatike, aq e shijshme por gjithmonë na është dukur e vështirë për ta gatuar në shtëpi. Na besoni se kemi menduar gabim gjithë këtë kohë.

Kapitulli i gjashtë – “Vegjetariane”

Një nga detajet më të bukura të këtij libri gatimi është se askush nuk mund të ndihet i përjashtuar në shijen e ushqimit. Jo vetëm ka pjata të zonave e krahinave të ndryshme duke u miksuar me kuzhina të ndryshme tradicionale të botës, por do të ndihen mjaft mirë edhe ata persona të cilët kanë vendosur të jenë vegjetarianë. Kapitulli i gjatë është vetëm për ju. Siç dhe Uarda thotë në një nga rrëfimet e saj në libër “mund të hahet shijshëm dhe pa përdorur mish duke pasur sigurisht të gjitha vlerat ushqyese”.

Një nga recetat më të veçanta të këtij kapitulli është “Tortë spinaqi me kore patatesh”. Jo vetëm shumë e veçantë dhe e ushqyeshme por edhe shumë e bukur në paraqitje. Perfekte për një drekë familjare.

Kapitulli i shtatë – “Bukë me vete”

Na duhet ta pranojmë, ky është ndoshta kapitulli jonë i preferuar si redaksi. Dhe mund t’jua marrë mendja se përse: jeta e shpejtë dhe gjithë kohës jashtë shtëpisë na bën të ushqehemi shpesh aspak shëndetshëm, ndërkohë që Uarda sapo na frymëzoi që të marrim “bukë me vete” mund të jetë një nga zgjidhejet më të mira. Recetat e saj janë të shpejta, të shëndetshme dhe shumë të paraqitshme nëse ne balancojmë përbërësit njësoj siç ajo ka bërë në recetat e saj.

Ndërkohë ajo na tregon edhe si të gatuajmë një “Club Sandwich” më mirë se sa ato që shpesh i provojmë në restorantet ‘fast food’. E keni parasysh kur është ai momenti (zakonisht në fundjavë) kur të shkon mendja keq fare për ushqim ‘fast’ dhe nuk do ta prishësh prej kalorive të shumta që ka? Epo, kur e gatuani vet, ashtu siç e tregon Uarda do të ndiheni në “gjysmë-faj”. (Ëmmm sa i mirë!!!)

Nëse edhe ju lexues jeni tashmë shumë të uritur nga të gjitha recetat e shijshme që patë në çdo shpjegim artikulli, e keni shumë të thjeshtë tashmë që t’i përvetësoni ato. Mjafton të keni në raftin e kuzhinës tuaj librin #tëdiealve, ne dimë t’ju themi vetëm diçka me siguri: ky libër vërtetë quhet “të dielave” por do jua zbukurojë jetën familjare çdo ditë të javës. /Blitz.al/

 

 

 

 

 

Komento
Shperndaje