Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sallatë me kuinoa, karkaleca dhe rrush të thatë

Sallatë me kuinoa, karkaleca dhe rrush të thatë
June 06
13:44 2016

E mira e kësaj sallate me kuinoa është që mund të hamë sa të duam e mos të shëndoshemi, por edhe sikur të duam të hamë pafund nuk do mundemi sepse kuinoa të ngop shpejt. Idealja e kësaj sallate është që e ftohtë është më e mirë, ndaj, nëse doni t’i habisni mikeshat tuaja, merreni me vete në punë.

Përbërësit:

  • 1 gotë kuinoa
  • 1 limon
  • 200-300 g karkaleca të freskët
  • 2 thelpinj hudhër
  • 1 dorë me stika pishe, për kosto më të lirë përdorni bajame të qëruara
  • 1 tufë majdanoz
  • 1 tufë mendër
  • 1 grushtë me ullinj, tipin që dëshironi
  • 1 grusht me rrush të thatë
  • 1 maj luge të vogël pimento “piper spanjoll”, në mungesë paprika
  • kripë
  • pak vaj ulliri

 

Përgatitja:

Vendosni rrushin në ujë të ftohtë të zbutet. Kur të jetë gati shtrydheni dhe thajeni me letër kuzhine. Shpëlajeni mirë kuinoan sa mos të bëjë më shkumë dhe lëreni të kullojë mirë.

Në tenxhere  vendosni 2 lugë vaj të aromatizohen me paprikan dhe shtoni kuinoan në të. Thekrisini bashkë sa të marrin erë të mirë dhe shtoni 2 gota ujë, pak kripë dhe lëreni të ziejë me kapak derisa të shterojë uji e të bëhet si pilaf. Lëreni të ftohet plotësisht.

Qëroni karkalecat nga koka, gëzhualli dhe fija e zezë, vendosini të skuqen me pak vaj ulliri dhe një hudhër të shtypur. Sa të kaurdisen mirë, hidhuni kripë dhe ruajini mënjanë.

Në një tigan ose në furrë thekni pak stikat e pishës ose bajamet.

Tani 2-3 lugë vaj  ulliri vendosini në një enë dhe aromatizojeni me lëkurën e grirë imët të limonit, vetëm pjesën e  verdhë, dhe një hudhër të shtypur me dorë. Sapo të fillojë të aromatizohet, hiqni hudhrën nga zjarri dhe lëreni të ftohet.

Tani bashkoni te kuinoa karkalecat, vajin e aromatizuar, majdanozin dhe mendrën e grirë imët, rrushin e thatë,stikat e pishës, pak lëng limoni, ullinjtë, pak kripë dhe përziejini  mirë. Provojeni nëse ka nevojë për ndopak piper të zi ose akoma kripë. Mbulojeni me një qese kuzhine dhe lëreni të ftohet në frigorifer 30 minuta ose më shumë që të lidhen aromat me njëra-tjetrën.

Etiketimet
Shperndaje