Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Salca Gravy (Grevi)

Salca Gravy (Grevi)
June 17
16:22 2017

Kjo salcë është e origjinës anglosaksone. Edhe ne dikur në Shqipëri me lëngun e mishit të pjekur përgatisnim pak a shumë një salcë të tillë me bazë mielli. Këtu keni recetën e kësaj salce që është mjaft e mirë për të shoqëruar mishrat e ndryshme, orizin dhe perimet. Për të përgatitur salcën Gravy (Grevi) kryesorja është të ruani lëngun e rostos ose vajin që keni skuqur mishin edhe disa ditë më parë, duke e ruajtur mënjanë dhe ta përdorni kur ju nevojitet kjo salcë.

Përbërësit:

Lëng nga rostoja ose yndyrë nga tigani ku keni skuqur mishin

miell

pak kripë dhe piper i zi

Nëse po e përgatisni këtë salcë me lëngun ku është gatuar rostoja, mjafton ta kulloni dhe ta lini mënjanë në qetësi në mënyrë të tillë që të ndahet pjesa e yndyrshme nga ajo e lëngshme. Heqim pjesën e yndyrshme me ndihmën e një luge dhe e ruajmë mënjanë.

Nëse po e përgatisni me yndyrën që ju ka tepruar nga skuqja e bërxollave ose biftekëve, ju nevojitet dhe lëng mishi i bërë nga ju.

Vendosni në një enë yndyrën që keni përfituar, shtoni 2-3 lugë gjelle miell dhe skuqeni deri sa të marrë ngjyrë kafe. Shtoni pjesën e lëngshme të rostos ose lëngun e mishit jashtë zjarrit dhe përziejeni mirë duke pasur kujdes mos t’ju formohen kokrriza. Vendoseni përsëri në zjarr duke e përzier herë pas here që mos t’ju ngjitet derisa të filloje të trashet. Shtoni kripë dhe piper të zi, provojeni nëse është e pëlqyeshme për ju.

Mund ta ruani në një enë qelqi në frigorifer për disa ditë.

Në varësi të lëngut që do të përdorni edhe ngjyra e salcës do jetë e ndryshme. Unë kam përdorur lëng rostoje dhe doli në ngjyrë mjalti të errët./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Shperndaje