Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rosto viçi

Rosto viçi
June 14
18:52 2017

Rostoja është pjata e festave dhe në vendin tonë e festave të fundvitit. Të krijohet përshtypja që do shumë punë për t’u përgatitur, por është e thjeshtë. Duhet pasur kujdes vetëm të njomni mishin me lëngun e tij që mos t’ju thahet.

PËRBËRËSIT:

Mish viçi për rosto rreth 1 kg e gjysmë

1 degë selino

2 karota

1 qepë

1 gotë verë të kuqe

750 ml lëng vegjetal i nxehtë

kripë dhe piper i zi

disa degë rozmarinë

disa gjethe sherbele

2 lugë miell

2 thelpinj hudhër

pak rigon

pak vaj ulliri

PËRGATITJA:

Mund të bëhet me mish të lidhur me spango nëse nuk e keni të prerë uniformë ose mund ta blini të lidhur direkt që nga kasapi. Por nëse është e një forme të rregullt edhe mund të mos e lidhni pasi nuk ju prishet.

Kripeni mishin dhe lyejeni me miell. Nëse e keni lidhur mishin fusni në mes të tij disa degë rozmarinë. Do të na ndihmojnë t’i heqim më kollaj pasi të jetë pjekur.

Grini qepën, selinon dhe karotat. Vendoseni në një enë që është e përshtatshme dhe për furrë me pak vaj ulliri. Vendosni roston dhe skuqeni nga të gjitha anët. Shtoni edhe thelpinjtë e hudhrës, sherbelën, rigonin dhe pak piper të zi. Shuajeni me verë të kuqe dhe kur vera të avullojë shtoni një garuzhde me lëng vegjetal të nxehtë. Vendoseni në furrën e nxehur më parë në 170° për rreth 1 orë e gjysmë. Gjatë kësaj kohe duhet ta njomni herë pas here me lëngun vegjetal ose yndyrën që ka krijuar vetë. Nëse ju theket shumë mbulojeni me letër alumini. Unë e kam qejf më krokante sipërfaqen dhe nuk e mbulova.

Për ta kuptuar që është gati apo jo mund ta shponi me pirun nëse del shumë lëng dhe mishi është i butë kur e prekni atëherë nuk është akoma gati. Njomeni përsëri me lëng që mos t’ju thahet dhe lëreni disa minuta të tjera në furrë.

Pastrojeni nga degët e rozmarinës dhe hiqeni nga tava, mbulojeni me letër alumini.

Ndërkohë pastroni lëngun e rostos nga ndonjë degë rozmarine dhe ndonjë fletë sherbele nëse janë djegur. Nëse keni mundësi, hiqni edhe yndyrën që është krijuar në sipërfaqe. Kalojeni gjithë masën ku poqët roston në mikserin (blenderin) me zhytje duke përfituar një salcë homogjene.

Priteni në feta roston dhe shërbejeni të ngrohtë me salcën  duke vendosur edhe pjesën tjetër të salcës veçmas në një salcierë. /Adda’s All/

 

Rosto viçi

Shperndaje