Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Qofte e madhe e mbushur

Qofte e madhe e mbushur
November 11
18:07 2016

Përbërësit:

  • 1 kg mish i grirë viçi
  • 6 vezë
  • 600 -800 g spinaq
  • 300 g pançetë e prerë në feta
  • 1 tufë mendër
  • 2 feta tul buke
  • pak qumësht
  • pak kripë dhe piper të zi
  • 3-4 thelpinj hudhra
  • 1 kg qepujka
  • 500 g gështenja
  • disa degë rozmarine
  • disa gjethe sherbelë
  • disa gjethe dafine
  • 1 gotë verë e bardhë
  • 1 lugë e vogël sodë buke
  • pak vaj ulliri

Përgatitja:

Gështenjat mund t’i merrni edhe të ziera nëse përtoni të merreni me to, nëse jo bëni një të çarë në mes të lëvozhgës së tyre dhe vendosini të ziejnë për nja 20 minuta, kullojini, lërini të ftohen dhe qërojini nga lëvozhga dhe lëkura e brendshme. Ruajini mënjanë.

Vendosni 4 vezë të ziejnë. Lërini të ftohen, qërojini dhe ruajini mënjanë.

Ndërkohë, vendosni bukën të zbutet në pak qumësht, kur të jetë gati shtrydheni dhe ruajeni mënjanë.

Grini imët spinaqin dhe vendoseni të kaurdiset me pak vaj ulliri derisa të ulë paksa volumin e tij, përziejeni për disa minuta të tjera dhe vendoseni në një kullesë dhe lëreni të kullojë gjithë ujin e tij të vegjetacionit.

Tani formoni brumin e qoftes duke shtuar tulin e bukës, pak kripë dhe piper të zi, sodën, hudhrat  e shtypura, mendrën e grirë imët dhe 2 vezë. Përziejeni mirë derisa përbërësit të lidhen mirë me njëri-tjetrin.

Shtroni një letër kuzhine, lyeni komplet sipërfaqen e  saj me pak vaj. Vendosni brumin e qoftes në të dhe shtrojeni mirë me duar derisa të keni një trashësi normale dhe të jeni në gjendje ta mbështillni. Shtoni sipër brumit të qoftes spinaqin dhe në mes vendosni vezët e ziera. Mbështilleni me kujdes në mënyrë që vezët mos të lëvizin nga pozicioni i tyre. Ngjisheni  fort me duar dhe jepini një formë si rosto. Visheni me pançetën dhe me shumë kujdes vendoseni në një tavë të thellë. Ngrijeni me gjithë letrën e furrës që shtruat poshtë që mos t’ju prishet forma e qoftes kur ta kaloni në tavë. Shtoni në tavë edhe gështenjat e ziera dhe qepujkat e qëruara, kriposini, aromatizojini me piper të zi dhe erëzat, shtoni sipër tyre pak vaj ulliri dhe një gotë verë të bardhë. Vendoseni të piqet në furrën e ngrohur në 180° Celsius për gati 1 orë.

Shërbejeni të ngrohtë me kontornon e qepujkave, gështenjave dhe lëngun e saj./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Komento
Shperndaje