Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Paella valenciana

Paella valenciana
December 01
15:16 2016

 

Përbërësit

  • 250 g oriz kokërrmadh
  • 200 ml salcë domatesh lëng
  • 4 kofsha pule ose pate të vogla
  • 100 g bizele
  • 1 spec jeshil
  • 1 spec i kuq
  • 20 karkaleca
  • 1 qepë e bardhë
  • 3-4 thelpinj hudhër
  • 200 g sallam spanjollë chorizo, në mungesë sallam turist ose mortadella
  • 200 g gjoks gjeli deti ose pule
  • 2 pako shafran
  • 2 lugë të vogla paprika e ëmbël
  • kripë dhe piper i zi
  • 4-5 lugë vaj ulliri
  • nja dy speca gogozhare për dekorin sipër
  • 1 limon
  • 800 ml lëng vegjetal ose ujë i nxehtë

Përgatitja:

Para se të filloni me përgatitjen e saj bëni gati të gjithë përbërësit. Prisni gjoksin e pulës në copa të vogla. Kofshët e pulës pastrojini, grini imët qepën dhe hudhrën. Prisni në copa të vogla edhe specat. Pastroni edhe një pjesë të karkalecave dhe lini nja 4 copë të plotë për dekorin e mësipërm. Chorizon ose sallamin që keni përdorur priteni në kubikë të vegjël.

Vendosini të kaurdisen copat e pulës dhe kofshët në vaj ulliri, pastaj shtoni chorizo-n ose sallamin tjetër që keni përdorur. Shtoni qepën, hudhrën e grirë, specat. Kaurdisini të tëra bashkë, pas pak shtoni një pjesë të karkalecave dhe kaurdisini përsëri. Shtoni salcën e domateve, bizelet. Shtoni ujin dhe rregullojeni me kripë dhe piper të zi. Shtoni orizin dhe përziejeni mirë që të shpërndahet në të gjithë tiganin. Pastaj shtoni shafranin dhe paprikan e ëmbël. Përziejini mirë dhe vendosni në të karkalecat e plotë. Ulni zjarrin dhe lëreni të gatuhet për nja 20 minuta. Prisni gogozharet në shirita dhe vendosini sipër paella-s. Lëreni përsëri në zjarr për disa minuta të tjera. Kontrollojeni duke futur një lugë në mes të saj për të parë nëse uji është përtharë komplet. Sipas dëshirës mund ta fusni në furrën e nxehtë nja 5 minuta për ta pasur orizin më të shkërmoqur. Shërbejeni të nxehtë të dekoruar me  feta limoni./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Komento
Shperndaje