Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Njoki me patate violë dhe krem shafrani

Njoki me patate violë dhe krem shafrani
July 13
18:07 2016

Sa herë që krijoj një pjatë të re, bashkëshorti më thotë t’i vë një titull të bukur.  Kjo pjatë e meriton të titullohet “eksplozion ngjyrash”: viola e patateve lidhet kaq bukur dhe natyrale me të verdhën e shafranit dhe  portokallinë e salmonit. Është edhe një pjatë plot kalori, kështu që mjaftohuni vetëm me një racion të vogël.

Përbërësit:

  • 400 g patate violë, në mungesë patate normale
  • 100 g miell
  • 1 vezë
  • pak kripë

Pjesa tjetër:

  • 400 g salmon të tymosur
  • 150 g djathë të butë i tipit “Filadelfia”,  “Robiola” ose “Strakino”
  • 150 ml pana e frekët
  • 1 pako shafran
  • 1 lugë gjalpë
  • pak piper rozë
  • pak kripë
  • disa gjethe sherbele

Përgatitja:

Fillimisht përgatisni njokit. Lani mirë patatet dhe vendosini të ziejnë me gjithë lëkurë në ujë me kripë. Kur të jenë gati hiqini dhe lërini të ftohen, pastaj qërojini. Kalojini në shtypësen e patateve ose shtypini mirë me një pirun. Shtoni pak kripë, miellin dhe vezën, punojini mirë derisa të formoni një brumë. Pastaj me ndihmën e miellit merrni pak nga brumi, jepini formën e një shkopi dhe nga ky shkop pritni copa të vogla. Vendosini në një tabaka me miell poshtë dhe lërini të pushojnë për 15 minuta.

Ndërkohë përgatisni salcën e djathit duke shkrirë djathin e butë në panën e nxehtë, shtoni shafranin dhe rregullojeni me kripë. Ruajeni salcën mënjanë.

Zieni njokit në ujë shumë të nxehtë me kripë derisa të shikoni që dalin në sipërfaqe.

Në një tigan shtoni gjalpin, gjethet e sherbelës, piperin rozë dhe lëreni gjalpin të aromatizohet, pastaj shtoni salmonin e tymosur dhe njokit e kulluara. Përziejini mirë që shijet të lidhen me njëra- tjetrën, shtoni akoma pak kripë nëse nevojitet dhe shërbejeni me salcën e djathit.

Mund të bëni një shtresë me salcë djathi në një pjatë dhe sipër të vendosni njokit ose mund ta shërbeni njokit me salcën veç dhe secili të serviret sipas dëshirës. Unë i kam prezantuar në dy mënyra dhe ju mund të zgjidhni kë dëshironi.

Burimi: Adda’s All

Njoki me patate violë dhe krem shafrani – eksplozimi i ngjyrave

Komento
Shperndaje