Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mousse çokollate

November 28
19:28 2016

img_3950

Përbërësit:

Për 10 -12 gota Martini ose format që dëshironi:

  • 250 ml pana e freskët lëng
  • 250 g çokollatë e zezë për shkrirje 70 ose 80 %
  • 150 ml pana vegjetale për t’u formuar të ftohur mirë
  • gjysmë filxhani kafe me liker me aromë kafeje ose konjak
  • 1 lugë e vogël ekstrakt vanilje
  • 1 fletë xhelatin peshku
  • 3 lugë sheqer
  • 1 lugë kakao pa sheqer
  • ribes ose fruta pylli sipas dëshirës

Përgatitja:

Vendosni fletën e xhelatinës në ujë të ftohtë.

Në një enë bashkoni panën lëng me sheqerin dhe vendoseni në zjarr të nxehet, por mos e lini të marrë valë. Përziejeni që sheqeri të shkrihet. Shtrydhni fletën e xhelatinës tashmë të zbutur dhe shtojeni te pana. Përziejeni që të shkrihet edhe ajo plotësisht dhe sapo pana të ketë arritur në nxehtësinë optimale gati në pikën e zierjes, hiqeni dhe shtoni në të çokollatën e zezë të copëzuar. Përziejeni vazhdimisht derisa të shkrihet komplet.

Vendoseni enën në banjëmari me ujë të ftohtë dhe akull dhe rriheni me përzierësin elektrik për disa minuta derisa masa të ftohet, të marrë ajër dhe të bëhet kremoze.

Lëreni të ftohet, shtoni likerin dhe vaniljen. Jepini përsëri një të përzierë dhe futeni në frigorifer të ftohet plotësisht.

Panën vegjetale, të cilën më parë e keni lënë të ftohet në frigorifer, formojeni mirë në shkumë.

Kur të gjithë përbërësit të jenë gati të ftohur, kthehuni përsëri te kremi i parë me çokollatë. Rriheni përsëri me përzierësin elektrik duke e transformuar në një krem të butë dhe të fryrë.

Tani merrni pak nga pana vegjetale e formuar dhe shtojeni te kremi me çokollatë “ganache”, duke e përzierë me delikatesë me një spatul kuzhine që mos t’i ulet volumi. Vazhdoni kështu pak nga pak derisa kremrat të jenë lidhur mirë me njëri-tjetrin.

Ndajeni në kupa individuale dhe vendoseni në frigorifer, në freski, të pushojë për rreth 6 orë ose gjithë natën; sa më shumë të rrijë, aq më e mirë bëhet.

Në momentin e servirjes spërkateni me kakao pluhur dhe dekorojeni me ribes./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Komento
Shperndaje