Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Labneh

Labneh
July 10
18:48 2017

Labneh ose labaneh është një djathë i butë i bërë nga kosi i deles ose i lopës.  Një djathë për lyerje ose për të ngjyer piten, me origjinë nga Libani dhe Orienti mesdhetar. Përgatitet si i ëmbël, ashtu edhe i kripur,  mund të krahasohet disi me “Philadelphia”, por vjen pak më i thartë dhe për mua edhe më i mirë.  Ruhet gjatë i mbuluar me vaj ulliri dhe në bazë të butësisë që doni mund ta lini dhe më shumë të kullojë duke e bërë një djathë më kompakt.

Është fare i thjeshtë për t’u përgatitur, ju duhet vetëm kos, një napë dhe kullesë.

Përbërësit:

Për 250 g Labneh:

  • 500 ml kos të bërë vetë do ishte më mirë
  • 1 lugë e vogël plot me kripë
  • 1 kullesë e imët
  • 1 napë e zier më parë për t’i hequr ilaçin e larjes

Përgatitja:

Përzieni mirë kosin me kripën derisa ajo të shkrihet .

Poziciononi te kullesa napën e palosur në katërsh dhe shtoni brenda në të kosin. Lidheni grykën e napës dhe lëreni të varur sa t’i kullojë më së shumti uji. Më pas vendoseni në frigorifer po me kullesën poshtë dhe kullesën sipër një ene dhe lëreni kështu rreth 6-8 orë.

Vendoseni në një pjatë servirje  dhe dekorojeni me shijet tuaj. Unë e shërbeva me mjaltë, ujë trëndafili (që e përzjeva me kosin për t’i dhënë një shije delikate) dhe fistikë./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Shperndaje