Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kremi karamel i ishujve Kanarie

Kremi karamel i ishujve Kanarie
September 20
17:59 2016

Pak a shumë kështu përgatitet në të gjithë botën latine kremi karamel, sepse versione të tilla ekzistojnë në Venezuelë, Kolumbi etj.

Përbërësit:

  • 1 kuti e madhe me qumësht të kondensuar, që ka rreth 397 g.
  • 397 ml qumësht normal, d.m.th. pasi keni boshatisur kutinë me qumështin e kondensuar mbusheni me qumështin normal për masë.
  • 5 vezë
  • 1 lugë e vogël  kanellë
  • lëkura e 1 limoni  e grirë në rende, vetëm pjesa e verdhë.

Për salcën e karamelit:

  • 400 g sheqer
  • 200 ml ujë
  • 16 g vanilje

Përgatitja:

Përgatisni salcën e karamelit. Në një enë të gjerë  dhe me fund të trashë vendosni sheqerin në zjarr të avashtë. Fundi i trashë i enës shërben për të ruajtur nxehtësinë e karamelit dhe ta mbajë atë konstante gjatë përpunimit.

Në një enë tjetër vendosni ujin  të përzierë me 16 g vanilje të nxehet deri sa të marrë valë.

Kur sheqeri të karamelizohet dhe të ketë marrë ngjyrën klasike të karamelit shtoni me shumë kujdes ujin e nxehtë duke e përzier shumë shpejt derisa të formoni një salcë të trashë. Ju sugjeroj që gjatë kësaj procedure t’i mbështillni duart me beze kuzhine, në këtë mënyrë do të evitoni të digjeni nga ndonjë spërkatje e karamelit. Lëreni të ftohet.

Me një rrahëse elektrike rrihni vezët derisa të bëhen shkumoze, shtoni  qumështin e kondensuar dhe qumështin normal dhe përziejini për  5 minuta. Aromatizoni me kanellën dhe lëkurën e limonit. Përziejini përsëri. Mbushni me 2 gisht ujë të nxehtë një tavë të thellë dhe vendoseni në sobë në 200°.

Ndërkohë, në tavën  ku do ta piqni kremin ose në forma individuale shtoni në fund salcën e karamelit duke lyer paksa dhe anët. Sipër shtoni masën me qumësht dhe vezë. Vendoseni të piqet në banjëmari për rreth 1 orë, nëse shihni që sipërfaqja  fillon t’ju digjet mbulojeni me letër alumini. Bëni provën e shkopit nëse është mpiksur apo jo duke futur një kunj dhëmbësh në mes të tij, nëse del i pastër është gati.  Lëreni të ftohet plotësisht dhe vendoseni në frigorifer për rreth 4-5 orë. Nxirreni nga forma para se ta shërbeni.

Shërbejeni të ftohtë./Blitz.al/

Burimi:Adda’s All

 

Komento
Shperndaje