Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kofshë gjeli deti e mbushur me përshesh

Kofshë gjeli deti e mbushur me përshesh
December 31
14:21 2016

Përbërësit:

  • 1 kofshë gjeli deti
  • kripë dhe piper i zi
  • 2 lugë gjalpë në temperaturë ambienti

Për  përsheshin:

  • kulaç
  • 2 qepë të ëmbla
  • 2-3 kërpudha porcini
  • Një tufë e vogël me mendër
  • kripë dhe piper i zi
  • 1 lugë gjalpë
  • lëng gjeli, të cilin do ta bëni me kockën e kofshës që hoqët

Për salcën grevi me limon:

  • yndyrën që do ngelet nga pjekja
  • 1 limon
  • 1 lugë miell
  • kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Kockën e gjelit vendoseni të ziejë me pak kripë derisa të shkrihet mirë për rreth 1 orë. Pastaj filtroni lëngun dhe ruajeni mënjanë. Kur të ketë kulluar mirë dhe ka formuar yndyrën sipër mblidhjani me kujdes dhe ruajeni mënjanë.

Pasi të keni përgatitur kulaçin sipas kësaj recete merrni rreth 200-300 g nga ai dhe shkërmoqeni, ruajeni mënjanë.

Grini imët qepën, kërpudhat, mendrën dhe vendosini të kaurdisen me pak gjalpë dhe yndyrën  që hoqëm nga lëngu i gjelit. Kaurdiseni mirë derisa të zbuten dhe shtoni një garuzhde nga lëngu i gjelit. Pasi janë zbutur mirë  shtoni përsheshin dhe kaurdiseni ngadalë në zjarr të ulët derisa të zbutet. Kriposeni dhe shtoni piper të zi. Nëse është akoma i fortë shtoni një garuzhde lëng nga gjeli. Përziejeni derisa të përthahet. Hiqeni dhe lëreni të ftohet.

Kofshën e gjelit hapeni në një tavoline pune dhe rriheni me rrahësen e mishit që të bëhet e butë dhe e njëtrajtshme. Shtroni kripë dhe piper të zi. Mbusheni me përsheshin aq sa mendoni që ju lejon ta mbështillni lehtësisht. Mblidheni në formën e një rostoje dhe lidheni me spango kuzhine që mbushja gjatë pjekjes mos t’ju dalë.

Lyeni sipërfaqen  me gjalpin e butë dhe shtoni kripë. Vendoseni në një tavë të thellë të lyer me pak gjalpë dhe vendoseni të piqet në 180° C sa të skuqet mirë pastaj ulni gradët në 160. Njomni sipërfaqen e kofshës  herë pas here me pak lëng mishi të përzierë me verë dhe lëng limoni. Lëreni të piqet për rreth 2 orë.

Ndërkohë veçmas përgatisni salcën grevi duke skuqur miellin me pak gjalpë dhe shtoni në të lëngun e kofshës që po piqni dhe pak nga lëngu i kockave. Shtoni lëngun e limonit, kripë dhe piper të zi, përziejeni mirë dhe lëreni mbi zjarr derisa të trashet paksa.

Kur kofsha të jetë gati shërbejeni të prerë në feta me kontornon që dëshironi dhe salcën e ngrohtë.

 

Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Festat 

/Blitz.al/

Burimi:Adda’s all

 

 

Shperndaje