Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kaposh i mbushur me gështenja

Kaposh i mbushur me gështenja
July 21
19:18 2016

Kaposhin mund ta mbushni me çdo lloj përbërësi, klasikja është me mish të grirë derri, proshutë, bukë të thekur ose në qumësht dhe erëza. Unë sot e solla të mbushur me gështenja, një shije mjaft delikate dhe mbushja ndihmon për mbajtjen e gjoksit të kaposhit më të butë dhe jo shumë të thatë në brendësi. Përgatitja është fare e thjeshtë, vetëm  se unë do t’ju këshilloja që ta përgatisni disa orë përpara se ta piqni, në këtë mënyrë mishi do të aromatizohet më shumë dhe lëkura e kaposhit do të ketë thithur të gjithë kripën.

Përbërësit:

  • 1 kaposh rreth 3 kg
  • 1 litër lëng vegjetal
  • 400 g gështenja të ziera
  • 100 g proshutë të pjekur
  • 1 tufë e vogël majdanoz
  • 1 dorë ullinj pa farë
  • 2 lugë galetë (bukë e tharë e shkërmoqur)
  • 50 g gjalpë në temperaturë ambienti
  • disa fletë pançetë e ëmbël
  • kripë dhe piper të zi
  • 1 gotë verë të bardhë për shuarje
  • 1 limon
  • pak vaj ulliri
  • disa thelpinj arra

Përgatitja:

Së pari zieni gështenjat të qëruara nga lëvozhga, lërini të ftohen dhe qërojini nga cipa e brendshme që është si push.

Vendosini në një mikser së bashku me ullinjtë pa bërthamë, majdanozin, galetën, proshutën e pjekur, pak kripë dhe piper të zi. Grijini deri sa të përfitoni një tip brumi të butë. Shtoni edhe thelpinjtë e arrave te brumi me gështenja  dhe ruajeni mënjanë. Përcëlloni mirë kaposhin dhe lajeni mirë si jashtë, edhe brenda. Lëreni të kullojë dhe thajeni shumë mirë me letër kuzhine si jashtë, edhe brenda. Lyejeni mirë me kripë nga të gjitha anët dhe brenda. Mbusheni kaposhin me mbushjen që përgatitëm, qepeni me spango kuzhine ose me ndihmën e disa kunjave druri.

Kriposni gjalpin që është në temperaturë ambienti dhe lyeni me të mirë nga të gjitha anët kaposhin, mundohuni t’i fusni edhe ca poshtë lëkurës së tij nga pjesa e qafës, në këtë mënyrë do të përhapet në brendësi të gjoksit dhe do e mbajë mishin e tij edhe më të butë. Nëse keni kohë lëreni rreth 2 orë të pushojë, ideale do ishte nëse e përgatisni një natë më parë.

Vendoseni të piqet  në furrën e nxehur më parë në 180° duke shtuar sipër dhe pak vaj ulliri në mënyrë që gjalpi mos digjet shpejt, gotën me verë dhe lëngun e një limoni. Me letër alumini mbështillini  fundet e këmbëve që mos të digjen shumë. Lëreni për rreth 30-40 minuta deri sa të ketë marrë pak ngjyrë të pjekur. Vendosni te gjoksi pançetën, në këtë mënyrë  mishi nuk do të digjet dhe nuk do të thahet shumë. Vendoseni përsëri në furrë. Ulini gradët në 140° dhe lëreni të piqet për rreth 2 orë. Duhet ta njomni çdo 30 minuta ose edhe më shpesh me lëngun  e tij dhe lëngun vegjetal. Nga fundi, nëse e doni edhe pak më të kuqërremtë, çojini gradët te maksimumi, hiqni pançetën nga gjoksi i tij (ruajeni mënjanë se do t’ju shërbejë për salcën shoqëruese) dhe lëreni të skuqet mirë për 10 minuta. Fikeni sobën dhe lëreni të pushojë disi, në këtë mënyrë të gjitha lëngjet dhe shijet do bashkohen.

Shërbejeni me një kotorno patate në furrë, me mbushjen e tij ose me salcë shoqëruese për mish shpendësh.

collage-pula-e-mbushure-1024x1024

Burimi: Adda’s all

http://addasall.com/kaposh-i-mbushure-me-geshtenja/

Komento
Etiketimet
Shperndaje