Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) “Arditi Fisherman”: Pjata më e vështirë? Patate të skuqura!

November 14
13:18 2016

arditi

Ushqimi është një nga gjërat më të rëndësishme, ndaj kujdesemi të konsumojmë ushqime të freskëta dhe në sasinë e duhur. Peshku vlerësohet si një nga ushqimet më të shijshme dhe të pasura me vlera ushqyese dhe restorantet e peshkut në Tiranë janë shtuar kohët e fundit. Njëri prej tyre, në të cilin shohim shpesh VIP-at e showbiz-it dhe politikanët të bëjnë check-in, është “Arditi Fisherman”. Në një intervistë për Blitz.al, Arditi, administrator dhe shef i restorantit që mban emrin e tij, na ka treguar disa detaje rreth specialitetit, teknikës me të cilën punohet në restorant dhe njëkohësisht disa këshilla për të gjitha amvisat që e pëlqejnë gatimin e peshkut.

A janë shqiptarët konsumatorë të rregullt dhe si evidentohet kjo?

– Shqiptarët janë konsumatorë të rregullt, të paktën 90 % e klientëve që vijnë në restorantin tonë kthehen sërish. Deri tani nuk mund të ankohem për klientelën dhe biznesin tim. Kemi mjaft klientelë besnike.

Ju nuk keni punuar jashtë. Pse zgjodhët Tiranën dhe pse një restorant peshku?

– Unë jam lindur afër detit dhe gjithë fëmijërinë time e kam kaluar pranë peshkatarëve. Jam njohës i mirë i të gjitha llojeve të peshqve. Kam punuar edhe në një restorant të njohur në Durrës dhe kaq më mjaftoi për të marrë zanatin. Kur inkorporon njohuritë e marra me produkt të mirë e të freskët, kuptohet edhe me pak kreativitet, produkti final do të jetë patjetër i  pëlqyeshëm. Zgjedhja ime për Tiranën ka qenë e dyta pasi si fillim unë i qëndrova besnik vendlindjes dhe punova në Gjirin e Lalzit. Më pas, klientela, e cila ishte e gjitha nga Tirana, u shtua e për pasojë restoranti i vogël nuk e përballonte dot, kështu lindi  ideja për restorantin në Tiranë.

Pse “Arditi Fisherman”? Je peshkatar apo ke pasion peshkimin?

-Ky emër erdhi pasi unë e kam shumë pasion peshkimin ngaqë jam rritur pranë peshkatarëve dhe më pëlqen se si tingëllon.

Cila është pjata që pëlqehet e konsumohet më shumë në restorantin tuaj?

– Të gjitha llojet e krudove, ku kryesojnë karkalecat, por edhe oktapodi pikant i furrës me domate e “parmiggiano”.

Çfarë duhet të provojë një klient që vjen për herë të parë te ju, që t’i ngelen mbresa e të kthehet sërish?

-Sugjerimi i parë i kamerierëve për klientët e rinj është që krijimin e menysë për atë ditë ta lënë në dorën tonë. Ndërsa klientët e rregullt kanë besim të plotë në zgjedhjen tonë dhe porosisin vetëm llojin e peshkut në varësi të prurjeve që ka dita. Në restorantin tonë ne servirim vetëm prurjen e ditës nga peshkatarët e nëse na kërkohet një lloj që nuk e kemi, ne nuk servirim peshk rezervati apo të ngrirë.

Çfarë e bën të veçantë gatimin e krudos?

– Për krudon, gjëja më e rëndësishme është marinimi, pa lënë pas dore freskinë e peshkut apo frutës së detit.

Shohim shumë personazhe të politikës dhe showbiz-it të vijnë te ju. A janë ata klientë më të vështirë se të tjerët?

– Në restorantin tonë të gjithë marrin të njëjtin trajtim, por nëse të famshmit kërkojnë diçka më të veçantë kuptohet që do t’ua mundësojmë. Përgjithësisht nuk janë me kërkesa të vështira, përveç privatësisë.

Pjata më e vështirë që keni bërë ndonjëherë?

– Pjata më e vështirë është kur kërkohen patate të skuqura, pasi në restorantin tonë  nuk ekziston vaj friture, por vetëm ulliri. Kjo është e vetmja pjatë që më sikletos.

Tri këshilla për gatimin e peshkut dhe frutave të detit…

-1)Peshku duhet doemos i freskët; 2) mënyra e gatimit, marinimi dhe pjekja në kohën e duhur si dhe 3) servirja sa më me art./Blitz.al/

Shperndaje