Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Hummus – Krem qiqrash me spinaq

Hummus – Krem qiqrash me spinaq
January 23
19:35 2017

Përbërësit:

  • 200 g qiqra të thata
  • 250 g spinaq
  • 2 thelpinj hudhër
  • 2 lugë susam
  • 2 limona
  • 1 lugë qimnon pluhur
  • pak kripë
  • pak vaj ulliri
  • 2 lugë vaj susami
  • pak ujë i ngrohtë
  • disa speca djegës të thatë të shkërmoqur

Përgatitja:

Pasi keni lënë në ujë të ftohtë qiqrat për disa orë, shpëlajini dhe vendosini të ziejnë për nja 5o minuta ose derisa të shikoni që janë zbutur. Vendosni të ziejë në një tjetër enë spinaqin për nja 5 minuta. Hiqeni dhe lëreni të kullojë dhe të ftohet. Mund ta përdorni edhe të gjallë spinaqin për ta pasur një ngjyrë  më të bukur jeshile, plus spinaqi i pagatuar i ruan të gjitha vitaminat e tij.

Ndërkohë përgatisni kremin e susamit i cili është  karakteristikë për hummusin. Vendosni të theken farat e susamit në një tigan me fund që nuk ngjit duke i përzierë herë pas here për mos i djegur. Sapo të marrin paksa ngjyrë dhe të ndjeni aromën e mirë të tyre hiqini dhe lërini të ftohen. Vendosini në blender së bashku me vajin e susamit dhe nja dy  lugë ujë të ngrohtë dhe pak kripë. Grijini në maksimumin e shpejtësisë derisa të përfitoni një krem. Ruajeni mënjanë.

Tani aromatizoni nja 3-4 lugë vaj ulliri me hudhrat dhe qimnonin pluhur, pastaj shtoni në të qiqrat dhe lërini të aromatizohen së bashku me vajin.

Tani që gjithë përbërësit i kemi gati,  vendosini në blender qiqrat, spinaqin, lëngun e 2 limonëve, kremin e susamit pak kripë dhe grijini derisa të keni një krem lisho. Mund t’i shtoni akoma pak vaj ulliri ose nja dy lugë ujë të ngrohtë për ta bërë edhe më të kremtë.

Dekoroni pjatën me speca djegës të shkërmoqur dhe shërbejeni me copa buke të thekur ose pite./Blitz.al/

Burimi:Adda’s All

Shperndaje