Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gliko shalqiri

Gliko shalqiri
July 09
18:28 2016

Të vetmen pjesë të shalqirit që unë konsumoj janë lëkurat e tij. Nuk hahen të gjalla, por të bëra gliko. Një ndër glikotë e mia të preferuara. Zakonisht e lë me shumë lëng pasi më pëlqen të lyej një fetë bukë me gjalpë  me të edhe nëse nuk dua të konsumoj glikonë.

Përbërësit:

  • 1 kg lëkura shalqiri
  • 1 kg sheqer
  • 2 gota ujë
  • rreth 100 g gëlqere
  • gjethe barbaroze

Përgatitja:

Për këtë përgatitje, siç e dimë, duhen lëkurat e trasha të shalqirit. I qëroni nga ndonjë pjesë e kuqe që ka ngelur dhe lëkura e jashtme, d.m.th pjesa jeshile. Pritini në format që dëshironi më shumë,  yll, zemra, trekëndësha ose kubikë, si në rastin tim, dhe vendosini në ujë të bollshëm të përzierë me gëlqere për rreth 1 deri në 2 orë. Pasi të kalojë kjo kohë, kullojini dhe shpërlajini sa më mirë dhe vendosini në një tenxhere të bollshme me sheqerin dhe 2 gota ujë. Lëreni të vlojë në zjarr të avashtë me intervale kohe nga 20 -30 minuta për tri herë rresht,  duke bërë pushime nga 30-40  minuta e kështu me radhë derisa lëngu që lëshojnë lëkurat dhe uji të jenë trashur dhe glikoja të jetë gati. Për aromë mund t’i hidhni barbarozë ose karafil. Unë e bëj gjithmonë me barbarozë sepse është shija që më pëlqen më shumë.

Lëreni të ftohet dhe ruajeni në frigorifer.

Burimi: Adda’s All

http://addasall.com/gliko-shalqini/

Etiketimet
Shperndaje