Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gliko arre të mbushura me bajame

Gliko arre të mbushura me bajame
July 08
19:23 2016

Erdhi dhe koha për të përgatitur glikonë e arrës. Natyrisht është një punë e stërzgjatur dhe do shumë durim, por duke e ditur që përgatitet vetëm një herë gjatë vitit ia vlen mundimi. Për  përgatitjen e kësaj glikoje duhen arrat e qershorit kur janë akoma të njoma dhe të vogla. Po ju lë me recetën time. Shpresoj ta pëlqeni.

Përbërësit:

  • 40 kokrra arra jeshile (të pabëra)
  • 3-4 lugë gëlqere
  • gjysmë kile bajame të qëruara
  • pak limontoz

Për sherbetin:

  • 1 l ujë
  • 1 kg e gjysmë sheqer
  • disa kokrra karafili
  • 1 shkop kanelle

Përgatitja:

Për të përgatitur glikonë fillimisht duhet të vendosni dorezat pasi arrat ju bëjnë pis duke lëshuar një lëng ngjitës ngjyrë kaf që hiqet me vështirësi nga duart. Qëroni sipërfaqen e tyre me ndihmën e një qëruese patatesh. Pritini majën duke i bërë pak vend që t’i mbushni me bajame. Futini në një enë të mbuluar me ujë dhe sipër vendosni një pjatë me diçka të rëndë që t’i mbajë ato te zhytura poshtë. Ndërrojuani ujin çdo ditë për 8-10 ditë. Disa ua ndërrojnë ujin edhe tri herë në ditë.

Në ditën e fundit holloni  gëlqeren në 1 litër ujë derisa të shkrijë mirë dhe kullojeni duke ruajtur mënjanë ujin e gëlqeres. Fusni në të arrat dhe lërini  të pushojnë për rreth 2-4 orë. Më pas shpëlajini mirë disa herë derisa të nxjerrin ujë të pastër.

Vendosini në një tenxhere me ujë derisa të mbulohen dhe lërini të ziejnë për rreth 10-15 minuta. E  përsërisni këtë procedurë rreth 4-5 herë duke jua ndërruar ujin  në mënyrë që arrave t’u dalë gjithë hidhësia. Kullojini dhe lërini të ftohen.

Ndërkohë përgatisni sherbetin duke tretur në ujë sheqerin dhe vendoseni të ziejë në zjarr të avashtë për rreth 10 minuta. Shtoni në të edhe pak limontoz.

Kur arrat të jenë ftohur, mbushini me një thelb bajameje. Vendosni arrat te sherbeti dhe ziejini në zjarr të avashtë për 40-60 minuta. Shtoni dhe karafilin dhe shkopin e kanellës, që do t’i hiqni më pas. Kur të jetë gati vendosini në një enë qelqi ose kavanoza dhe lërini të ftohen plotësisht. Konsumohen një ditë pas përgatitjes së tyre.

Burimi Adda’s All

http://addasall.com/gliko-arre-te-mbushura-me-bajame/

Komento
Etiketimet
Shperndaje