Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fileto koce me kuinoa shumëngjyrëshe dhe perime

Fileto koce me kuinoa shumëngjyrëshe dhe perime
April 18
09:10 2017

Përbërësit:

  • 2 fileto koce të përgatitura më parë
  • 2 filxhanë kafe kuinoa
  • pak kripë dhe piper i zi
  • pak vaj ulliri
  • 2 thelpinj  hudhra
  • 2 patate
  • një tufë të vogël asparag
  • një dorë domate të vogla
  • një tufë majdanoz

Për salcën e asparagut:

  • Asparag  nga ata që do të teprojnë nga përbërësit më sipër
  • 1 patate e zier
  • 1 thelb hudhër
  • 2 lugë vaj ulliri
  • kripë dhe piper të zi
  • pak majdanoz

Përgatitja:

Prisni patatet në copa të vogla dhe vendosini të ziejnë në ujë me kripë për 20 minuta, më pas hiqini dhe lërini të kullojnë mirë.

Në të njëjtin ujë jepuni një valë dhe asparagëve për 10 minuta, më pas hiqini dhe shpëlajini direkt në ujë të ftohtë që të fiksohet ngjyra e bukur e gjelbër.  Lërini dhe këto mënjanë të ftohen.

Përsëri në ujin e perimeve zieni kuinoan e shpëlarë mirë më parë në ujë të ftohtë. Lëreni të ziejnë rreth 12 minuta, më pas hiqeni dhe lëreni në një kullesë të kullojë të gjithë ujin.

Hapi tjetër është përsëri te perimet.  Vendosni pak vaj ulliri në një tigan me fund që nuk ngjit  dhe shtoni 2 thelpinj hudhre të shtypur me dorë.  Sapo vaji të aromatizohet shtoni patatet.

Prisni majat e asparagëve dhe shtojini te tigani së bashku me patatet. Bishtat e asparagëve na nevojiten për salcën.

Shtoni kripë, piper dhe majdanoz të grirë imët. Thekini mirë sa të marrin faqe, kur të jenë gati hiqini dhe ruajini mënjanë.

Tek i njëjti tigan kaurdisni paksa edhe domatet e ndara në mes, për rreth 1 minutë,  jo më shumë pasi u prishet forma.  Bashkojini me patatet dhe asparagun.

Kaloni te formimi i salcës duke bluar në blender pjesën e mbetur të asparagëve, pataten e zierë, majdanozin, hudhrat, pak kripë dhe piper të zi dhe vajin e ulliri. Bluajini sa të bëhen krem.

Kaloni tani te filetot e kocës.  Nxehni fort një tigan me fund që nuk ngjit dhe lyeni fundin e tij me pak vaj ulliri.  Vendosni filetot nga ana e lëkurës dhe thekini derisa ajo të bëhet kërce, kthejeni dhe nga pjesa e tulit dhe lëreni të skuqet dhe pak nga kjo anë.  Hiqini, hidhuni kripë dhe piper.

Tani është  koha të kompozoni pjatën duke vënë kuinoan në mes, duke u dhënë formën rrethore me unazat përkatëse për këto lloj përgatitjesh ose nëse s’i keni, thjesht vendoseni në mes shkujdesur.

Bëni një dekor me salcën e asparagëve rreth pjatës në mënyrë të çrregullt.

Vendosi disa perime sipër kuinoas, sipër perimeve vendosni filetot e kocës dhe disa perime të tjera sipër saj dhe përreth pjatës.

Spërkateni me majdanoz të grirë imët dhe shërbejeni./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

 

Komento
Shperndaje