Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dredhanik me qepë të njoma dhe djathë

Dredhanik me qepë të njoma dhe djathë
December 03
17:53 2016

Përbërësit:

Për petët:

  • 1 kg miell
  • pak kripë
  • ujë i ngrohtë sa mjafton për brumin

Për mbushjen:

  • 1 kg qepë të njoma
  • 400 g djathë i bardhë
  • 3  vezë
  • 1 gotë qumësht
  • 1 lugë miell
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • pak vaj luledielli për të spërkatur petët
  • pak kripë
  • një tufë koper

Përgatitja:

Zini brumin me pak kripë dhe ujë të ngrohtë derisa të formohet. Punojeni mirë me duar dhe mbulojeni me një beze të njomur me ujë të ngrohtë të pushojë paksa.

Ndërkohë, përgatisni gjellën e mbushjes duke grirë imët qepët, pastaj shtypini me pak kripë me dorë. Përzieni qumështin me një lugë miell dhe shtojeni te qepët, shtoni vezët e rrahura, koperin e grirë imët, pak vaj ulliri  dhe djathin e shkërmoqur. Përziejini mirë dhe ruajeni mënjanë.

Prisni brumin në kulaçë të vegjël. Kulaçët, me ndihmën e pak niseshteje, hapini në disqe rreth 10 cm. Këto disqe bashkojini tre e nga tre me pak vaj në mes tyre. Disqet treshe hapini në një petë të madhe. Te peta e madhe shtoni pak gjellë në mes, paloseni në dysh dhe mblidheni rreth vetes sikur po formoni një tub. Tani rrotullojeni nga brenda sikur po formoni një spirale. Vendoseni në mes të një tepsie të lyer me pak vaj.

Hapni një tjetër petë të madhe, vendosni pak gjellë në mes saj, paloseni më dysh, mblidheni në tub dhe mblidheni rreth spirales që vutë në tepsi. Bëni kështu për gjithë pjesën tjetër të brumit. Lyeni sipërfaqen e dredhanikut me pak vaj dhe vendoseni në furrë të piqet në 200° për  30 minuta./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

Komento
Shperndaje