Dollma lakre të mbushura me mel

Përbërësit:
- 8 -10 gjethe lakre
- 1 gotë me mel
- 2 karota
- 2 qepë të njoma
- kripë dhe piper të zi
- 2 lugë vaj ulliri
- një tufë e vogël majdanoz
Për beshamelën:
- 100 g gorgonzola
- 2 lugë miell
- 2 lugë gjalpë
- 300 ml qumësht
- pak arrë myshku
Përgatitja:
Shpëlani mirë melin dhe vendoseni të ziejë në ujë të bollshëm me kripë për 10 minuta. Kullojeni dhe ruajeni mënjanë.
Jepuni një valë të shpejtë gjetheve të lakrës në ujë me kripë dhe lërini të ftohen.
Ndërkohë grini imët në mikser qepën dhe karotën dhe bashkojeni me melin. Shtoni kripë, piper dhe majdanoz të grirë imët. Përziejeni dhe me këtë masë mbushni një nga një gjethet e lakrës duke i palosur mirë që mos t’u dalë mbushja jashtë. Renditini në një tavë dhe shtoni sipër pak vaj ulliri. Futini në furrën e nxehur më parë në 200°C që t’u thahet pak lagështira.
Tani përgatisni beshamelën duke skuqur miellin në gjalpë dhe shtoni qumështin pak nga pak që mos t’ju bëhet kokrriza. Shtoni edhe djathin dhe rregulloni shijen me kripë dhe arrë myshku. Kur masa të bëhet kremoze shtojeni sipër lakrës. Lëreni akoma në furrë derisa sipërfaqja të theket mirë. Shërbejini me një sallatë stine./Blitz.al/