Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Copëza mishi të tiganisura me perime të verës

Copëza mishi të tiganisura me perime të verës
August 04
12:34 2016

Verore dhe aq e shijshme sa nuk do t’ju mjaftonte një bukë e tërë për ta ngrënë në  kafshata. Ndaj ju rekomandojmë ta bëni në vaktin e drekës. Përdorni  mishin e gicit pasi është më i lehtë dhe tretet më shpejt, por ju mund të përdorni edhe mishin e viçit.

Pulën s’do t’jua këshillonim pasi me domatet nuk shkon shumë. Një tjetër sekret për ta bërë edhe më të freskët këtë pjatë është  djathi i bardhë i shkërmoqur dhe kaperi nën uthull.

Përbërësit:

300 g mish gici tul

5-6  speca jeshil

një dorë domate të vogla

2-3 speca djegës turshi

një tufë e vogël majdanoz

3-4 thelpinj hudhër

pak kripë dhe piper të zi

pak rigon

2-3 lugë vaj ulliri

1 gotë verë të bardhë

Përgatitja:

Prisni tulin e mishit në copëza të vogla. Vendoseni të kaurdiset me vajin e ullirit derisa të thekriset mirë nga të gjitha anët. Kriposeni. Hiqeni dhe ruajeni mënjanë.

Në të njëjtin tigan vendosni të kaurdisen dhe specat e prera në copa të vogla.  Sapo të marrin faqe shtoni edhe domatet e prera. Kaurdisini së bashku në zjarr të lartë derisa dhe domatet të  thekrisen.

Shtoni hudhrat  e grira, majdanozin e grirë, pak kripë, pak piper, rigon dhe mishin. Përziejini që shijet të lidhen dhe shuajini me verë të bardhë.

Sapo vera të avullojë, hiqeni nga zjarri.  Shërbejeni me speca djegës, turshi të prera në copa të vogla dhe majdanoz/Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

 

Copëza mishi të tiganisura me perime verore

Komento
Shperndaje