Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bukëvale me sheqer

Bukëvale me sheqer
October 19
18:51 2016

Sa nga ju e kujtojnë këtë pjatë që gjyshet na e jepnin me zor para se të shkonim në shkollë? Era e gjalpit të karamelizuar që ndihej në shtëpi më kujtohet edhe sot. Kjo recetë është një variant i saj me sheqer, varianti tjetër është me djathë të bardhë që dikush në vend të bukës së grurit e përgatiste me bukë misri. Një tjetër recetë  që bënte ime gjyshe ishte me bishtat e qepëve të njoma dhe mendër.  Unë po e shkruaj ashtu siç më kujtohet si e bënte ajo. Ju sheqerin e bardhë mund ta zëvendësoni me sheqer kaf dhe do të bëni një mëngjes të shëndetshëm për fëmijët.

Përbërësit:

  • 4 -5 feta buke
  • 2 lugë sheqer të bardhë ose kaf
  • 1 lugë gjalpë
  • ujë i nxehtë sa mjafton.

Përgatitja:

Thërrmojeni bukën në copëza të vogla. Në një enë shkrini gjalpin, shtoni sheqerin dhe lëreni të karamelizohet paksa, pastaj shtoni bukën e thërrmuar dhe përziejeni vazhdimisht derisa buka të theket mirë dhe të marrë ngjyrë të artë. Pastaj ngadalë shtoni ujë të valuar derisa masa të zbutet. Shtoni ujë pak nga pak që ta shikoni me sy kur është gati. Përziejeni vazhdimisht në zjarr derisa uji të përthahet.

Shërbejeni të ngrohtë ose të ftohtë./Blitz.al/

Burimi Adda’s All

Komento
Shperndaje