Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Biftek në kripë të trashë

Biftek në kripë të trashë
August 09
12:51 2016

E thjeshtë dhe me pak kalori kjo pjatë. E shoqëruar me kontornon e duhur bëhet një pjatë me shije unike.

 Përbërësit për 4 persona

  • 4 biftek viçi
  • 2 hudhra
  • 1 spec djegës
  • rreth 8-10 lugë vajë ulliri ekstra i virgjër
  • disa degë trumëz, në mungesë rigon
  • disa gjethe majdanoz
  • disa degë rozmarinë
  • disa gjethe dafine të freskëta
  • pak piper i zi
  • rreth 500 g kripë e trashë
  • disa domate qershizë
  • rukola
  • uthull balsamike

Përgatitja:

Në një tigan me fund që nuk ngjit ose te skara e gizës shtoni kripën e trashë, të përzier me rozmarinën dhe gjethet e dafinës dhe lëreni të nxehet mirë. Thani mirë nga bifteku ujin e tepërt dhe kur kripa të jetë gati, vendoseni sipër kripës së nxehtë. Lëreni rreth 4 minuta në çdo krahë. Shikoni dhe trashësinë e biftekut. Duket me sy kur është gati në momentin që nuk lëshon më lëngje në sipërfaqe.

Ndërkohë që biftekët piqen bëni një marinim me hudhra të shtypura,majdanoz dhe specin djegës të grirë imët, disa gjethe trumëze ose rigon dhe vajin e ullirit. Shtoni dhe pak piper të zi të bluar në moment. Përziejeni mirë dhe kur bifteku të jetë gati shkundeni nga ndonjë kokrrizë kripe që mund t’i jetë ngjitur dhe  vendoseni te marinatura. Mbulojeni me letër alumini që të rrijë ngrohtë ndërkohë që përgatisni pjatancën ku do ta shërbeni.

Në  pjatancë shtroni rukolën,domatet qershizë të prera në mes dhe sipër vendosni biftekun. Shtoni edhe marinaturën sipër së bashku me pak uthull balsamike.

Shërbejeni menjëherë./Blitz.al/

Burimi: Adda’s All

http://addasall.com/biftek-ne-kripe-te-trashe/

Shperndaje