Zbulohet “sekreti” i Trekëndëshit të Bermudës?

Deri sot janë ngritur shumë teori mbi Trekëndëshin e Bermudës dhe arsyet e zhdukjes së anijeve e avionëve në atë zonë. Një ndër teoritë e përfolura është prania e metanit në thellësitë e oqeanit.
Nga një studim i fundit të bërë në detin Barents kanë dalë të dhëna më të detajuara se përse pikërisht metani është i lidhur me misteret e Trekëndëshit të Bermudës.
“Një numër jo i vogël krateresh që gjenden në një zonë të caktuar në fund të detit Barents mund të jenë shkaktarë të shpërthimeve të mëdha të gazit”, – thonë për “The Sunday Times” studiuesit e Universitetit Arktik të Norvegjisë. “Zona e kratereve është një nga sipërfaqet më të nxehta të çlirimit të metanit në Arktik”.
Pra, sipas informacioneve, shpërthimi i metanit krijon në sipërfaqe flluska të mëdha uji, të cilat mund të shkaktojnë probleme për anijet gjatë lundrimit.
Një shkencëtar rus shprehet për “The Daily Mail” se prania e metanit shkakton ngrohjen e madhe të ujit në atë zonë, duke bërë anijet të zhyten në thellësi.
Pavarësisht se sa të vërteta janë informacionet për zhdukjen e anijeve, ende nuk dihet se çfarë u ndodh avionëve që fluturojnë në këtë zonë. Pra, misteri i Trekëndëshit të Bermudës ende nuk është zgjidhur përfundimisht.