Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Umberto Eco në testament: Për 10 vjet mos flisni për mua!

Umberto Eco në testament: Për 10 vjet mos flisni për mua!
March 25
10:04 2016

Një ngjarje vërtet interesante ajo që ka ndodhur në Itali para pak ditësh, kur studentë dhe kolegë të shkrimtarit dhe filozofit Umberto Eco, i cili u nda nga jeta në muajin shkurt, u mblodhën për të zhvilluar një konferencë në kujtim të tij.

Eco arriti t’i surprizonte të gjithë pjesëmarrësit edhe tani që është ndarë nga jeta; një orë para fillimit të mbledhjes, në Shkollën Superiore të Shkencave Humane, gruaja e tij, Renate, ka telefonuar trashëgimtaren intelektuale të filozofit Patrizia Violi, për t’i thënë: “Eco, në testamentin e tij, na kërkon mua dhe fëmijëve tanë që të mos promovojmë apo të autorizojmë asnjë konferencë rreth tij, për 10 vjet”.

Të shokuar e pa fjalë, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk mund të bënin gjë tjetër veçse të respektonin vullnetin e mësuesit të tyre, sado që mund të dukej si një shaka e hidhur.

Edhe pse e cilësuar “një ide gjeniale”, do të jetë e vështirë që zbatimi i “vetos” së Eco-s të vëzhgohet në mbarë botën.

“Ne nuk do të zhvillojmë asnjë konferencë dhe nuk do të marrim pjesë nëse do të organizohen të tilla. Pas 10 vitesh kjo do të jetë në dorë të atyre që do vijnë pas nesh”, – premtojnë akademikët bolonjezë. “Në vullnetin e tij njohim ironinë e profesorit, i cili shpesh ka shprehur që nuk ka pasur kurrë dëshirë t’i ngrenë monument apo ta mumifikojnë”.

Ndërkohë, bashkëpunëtorja Patrizia Violi shprehet: “Personalisht, më duket një zgjedhje që i përshtatet stilit të tij, një ide gjeniale… Shpesh na thoshte që nuk dëshironte të kryheshin mbledhje  dedikuar atij. Për këtë do ta respektojmë atë që Eco ka kërkuar”.

Gjithsesi, e vështirë duket që ndjekësit e fjalëve të Eco-s apo studentë të tij t’i rezistojnë tundimit të organizimit të aktiviteteve, çfarëdo lloj forme qofshin ato…

Komento
Shperndaje