Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tirana në listën e qyteteve më të lira në Europë, por jo për shqiptarët

Tirana në listën e qyteteve më të lira në Europë, por jo për shqiptarët
March 13
12:46 2019

Tirana renditet ndër vendet me kostot më të lira të jetesës në Europë.

Kështu sipas një artikulli të “Monitor.al” nga 181 qytete të Europës që janë listuar nga Numbeo, (portali më i madh që grumbullon të dhëna mbi kostot dhe cilësinë e jetesës), Tirana renditet në vendin e 155.

Megjithatë kryeqyteti i Shqipërisë nuk është më i liri në rajon.

Prishtina “ka rrëmbyer” vendin e parë si qyteti më i lirë i Europës, në rajon. Ndërkohë që ndër vendet e rajonit pas Prishtinës renditet Shkupi, në vendin e 168, ndërsa Tirana është e treta.

Për të përcaktuar indeksin e kostove të jetesës, “Numbeo” bazohet në 5 indekse të tjera siç janë: indeksi i qirave, indeksi i kostove të jetesës plus qirasë, indeksi i shportës bazë, indeksi i restoranteve, indeksi i fuqisë blerëse të vendasve.

Për sa i përket indeksit të qirave, Tirana është më e shtrenjtë edhe se Sarajeva, e cila në renditjen e përgjithshme është më e kushtueshme se kryeqyteti i Shqipërisë.

Por, ndonëse Tirana është e lirë për të huajt që vijnë të jetojnë në Shqipëri, ajo është shumë e shtrenjtë për vendasit.

Indeksi i fuqisë blerëse të vendasve është 33.8 në Tiranë, 40 në Shkup, 48 në Podgoricë dhe 65.9 në Prishtinë.

Indeksi i fuqisë blerëse 33 në Tiranë do të thotë se vendasit këtu mund të blejnë rreth 70% më pak se njujorkezët me pagë mesatare. Në këtë renditje të Numbeos për kostot e jetesës është marrë si referencë kostot e jetesës në Nju Jork (100) dhe treguesit krahasohen me këtë qytet./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje