Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shkencëtarët “ndryshojnë” pemën e jetës

April 13
10:29 2016

Pema e evolucionit sipas Çarls Darvinit është përdorur për dekada me radhë si një metaforë për biologët dhe mësuesit e biologjisë, për të treguar evolucionin e gjallesave. Por tani studiuesit i kanë dhënë një pamje krejtësisht të re pemës së Darvinit.

Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë kanë mbledhur për vite me radhë gjene të specieve të ndryshme kudo në botë dhe janë përpjekur t’i vendosin në pemën e vjetër. Pema e vjetër përmbante tri degë kryesore: eukariotët (gjallesat me qeliza me bërthamë, si bimët, kafshët, kërpudhat, protozoarët dhe ne), bakteret dhe grupe mikrobesh që jetojnë në mjedise ekstreme, si thellësitë e oqeaneve apo akullnaja. Por vendosja e specieve në këtë pemë nuk jepte rezultatet e dëshiruara, prandaj lindi nevoja për një klasifikim të ri.

Ekipi i Universitetit të Kalifornisë grumbulloi gjenet ekzistuese të 2,072 specieve bashkë me ato të 1,011 specieve të reja dhe i vendosën në një pemë të re. Sigurisht, është përdorur një superkompjuter për t’i vendosur në vendet e duhura në pemë, pasi është me të vërtetë një projektim i ndërlikuar.

Pema e vjetër u jepte një rëndësi eukariotëve dhe njeriun e vendoste në një degë më vete, por pema e re tregon se bota e baktereve ka një diversitet më të madh se bota e “qelizave me bërthamë”.
Kjo padyshim është një arritje për shkencën, por sidomos për biologjinë, pasi ndihmon në studimin më të saktë e të hollësishëm të gjallesave që popullojnë botën tonë.