Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shkenca shpjegon arsyen se pse ledhatimet me partnerin ndihmojnë në prag depresioni

Shkenca shpjegon arsyen se pse ledhatimet me partnerin ndihmojnë në prag depresioni
March 24
13:21 2016

Të përqafosh, të ledhatohesh me partnerin, në dukje janë veprime të këndshme, por vështirë se mund t’i gjesh një lidhje direkte me çlirimin nga stresi apo ndjesi të tjera negative që përjetojmë. Por studimet e fundit në fushën e psikologjisë kanë dalë në përfundimin se një përkëdhelje e vogël mund t’i ndihmojë shumë  personat që kanë simptoma të stresit apo mbingarkesës. Arsyeja kryesore për këtë është hormoni oksitocinë. Ky hormon çlirohet gjithnjë kur marrim kënaqësinë e një përqafimi apo përkëdheljeje. Shkencëtarët janë në gjendje të tregojnë se si ky hormon na bën të ndihemi por së fundmi me anë të një studimi më të zgjeruar ata kanë zbuluar se ky i fundit mund të kontribuojë edhe në rregullimin e sjelljes tonë. Për shembull, nëse ju e përkëdhelni mjaftueshëm fëmijën tuaj kur është në fëmijëri, ai do të ketë më pak mundësi për të rënë në depresion në moshë më të madhe.

Si mund të ndihmojë ledhatimi?

Nëse po vuani nga një ngarkesë në punë, ankth apo edhe depresion i mundshëm, atëherë ledhatimet do të bëjnë të mundur të çlirohet hormoni i oksitocinës. Por jo vetëm kaq. Një nga vështirësitë më të mëdha me të cilat ju duhet të ndesheni nëse jeni duke u përballur me stresin është nevoja për të qenë vetëm, mundësisht të izoluar. Këtë nuk duhet ta bëni absolutisht. Ndoshta jeni vërtet të lodhur për të folur, ndaj nëse është kështu më mirë mos flisni me partnerin tuaj sepse mund të shkaktoni debat, por është shumë mirë të qëndroni bashkë duke u përqafuar dhe kështu ngrohtësia që do të ndjeni me njëri-tjetrin do t’ju reduktojë idenë e të përballuarit vetëm të problemeve.

 

Po sikur të jetoni vetëm?

Përkëdheljet sigurisht janë më të vështira për ata që jetojnë vetëm. Mirëpo nuk është fundi i botës. Nëse nuk jeni alergjik, një nga zgjidhjet më të mira është të kujdeseni për një kafshë të adoptuar. Kafshët shtëpiake do t’ju duan pa kushte, do jenë aty për përkëdhelje dhe do t’ju kthehen në një motiv për t’u zgjuar energjik që në mëngjes. Nëse nuk doni apo nuk keni mundësi të adoptoni një kafshë shtëpiake, merreni borxh këtë të fundit te ndonjë mik i juaji. Nxirreni shëtitje dhe kujdesuni për të, kështu do të qetësoheni dhe më e rëndësishmja nuk do të ndiheni vetëm.

Gjithashtu është e rëndësishme të rrethoheni nga njerëz që i doni. Është e vërtetë që disa njerëz janë tipa më të dashur sesa disa të tjerë. Dikush i pëlqen më shumë përqafimet dhe dikush tjetër ndihet më i rezervuar, por ajo që është e sigurt është se të gjithë duan të shohin dashurinë të shprehur në forma të ndryshme nga njerëz që i duan, kjo sepse të gjithë kanë nevojë për përkujdesje dhe mbështetje. Ndaj herën tjetër që ndesheni me dikë që doni, nuk ka nevojë për shumë fjalë, dhuroni një përqafim!

Komento
Shperndaje