Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Jeni gati për “Facebook Dating”? Risia e Mark Zuckenberg u vjen në ndihmë “të turpshmëve” për të gjetur partner…

Jeni gati për “Facebook Dating”? Risia e Mark Zuckenberg u vjen në ndihmë “të turpshmëve” për të gjetur partner…
August 08
14:53 2018

Në epokën e errët analoge të viteve më parë, njerëzit e ndrojtur e kanë pasur gjithmonë të vështirë kur ka ardhur puna për të ftuar dikë të seksit të kundërt në një takim apo thjesht për t’i folur atyre.

Tashmë Facebook, rrjeti social më i famshëm në botë, po luan rolin e tij për t’i ndihmuar këta njerëz që të “thyejnë akullin” me partnerët e tyre potencialë, pa pasur nevojë të mendojnë ndonjë gjë të zgjuar për të thënë.

Ka qenë një programuese e kompanisë, Jane Wong, e cila e ka analizuar për publikun mënyrën se si aplikacioni më i ri “Facebook Dating” do të funksionojë, duke theksuar faktin se nuk do të jetë i aksesueshëm nga çdo përdorues.

Një nga gjërat që do të përmbajë ky aplikacion është dhe “Conversation Starter”, shqip “Filluesi i bisedës”, i cili do të ofrojë fraza të gatshme për të filluar një bisedë me dikë që mund të të interesojë pa qenë nevoja të ndihesh në ankth se çfarë do t’i thuash.

Planet për këtë risi, Facebook i prezantoi që në majin e kaluar, por tani ka hedhur më shumë dritë mbi to, duke insistuar në idenë që po krijohet për t’i dhënë ndihmë njerëzve që të formojnë “lidhje reale dhe afatgjata”. E nëse nuk doni që miqtë që keni tashmë në Facebook ta marrin vesh që jeni regjistruar në këtë aplikacion të ri, mos u shqetësoni, “profili i takimit” që do të hapni do jetë i ndryshëm nga ai që keni në rrjetin social, madje kodi i tij bën të mundur që partnerët e rinj që do të gjeni të mos jenë asnjë nga shokët tuaj aktualë.

Zuckerberg, njëkohësisht krijuesi i Facebook dhe ideuesi i “Dating” u shpreh se mbi 200 milionë përdorues të rrjetit janë listuar si single dhe këtë duhet ta shohin si një mundësi për të krijuar lidhje të reja. Megjithatë, kritikët e tij janë të shqetësuar jo për faktin sa do të funksionojë apo si do të jenë lidhjet e krijuara, por se si Facebook do vazhdojë të marrë të dhënat personale të njerëzve, këtë herë edhe ato më intimet, të nevojshme për të gjetur partnerin e përshtatshëm.

Pavarësisht kritikave, ky projekt duket se po shkon përpara e do të lançohet shumë shpejt. Mezi po presim ta provojmë… /Blitz.al/

Share