Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historia e vajzës që përfundoi në gjykatë sepse u dha ujë derrkucëve

Historia e vajzës që përfundoi në gjykatë sepse u dha ujë derrkucëve
October 28
21:58 2016

Nga titulli dikush mund të mendojë se kjo është thjesht një histori e kotë apo një trillim, por në fakt kjo histori është e vërtetë. Anita Krajc është vënë në bankën e të akuzuarve me arsyen e vetme se u dha ujë disa derrkucëve që ishin në një gjendje të mjerueshme në kamionçinë, rrugës për në thertore.

“Në një ditë të nxehtë vere në qershor 2015, unë u dhashë pak ujë disa derrkucëve të etur në një kamionçinë të vogël, e cila po i çonte drejt thertores më të afërt. Në atë moment, shoferi doli nga automjeti e më tha të ndaloja. Aty unë i citova një fjali të Jezu Krishtit, marrë nga Bibla: “Nëse [ata] janë të etur, jepuni ujë”.

Shoferi u nxeh e më bërtiti: “Ata nuk janë njerëz, budallaçkë”. Më pas telefonoi policinë, duke më çuar në gjykatën kanadeze.

Kur dikush po vuan, unë besoj se është e gabuar të shohësh nga ana tjetër e rrugës dhe të ecësh pa e vrarë mendjen. Nuk ka rëndësi nëse ai që po vuan është dy apo katërkëmbësh ose kërkon ndihmë në një gjuhë që ne e kuptojmë apo e deshifrojmë me gjuhën e trupit.

Derrkucët, të cilët po përpiqesha t’i ndihmoja në atë ditë të keqe, ishin padyshim duke vuajtur tmerrësisht. Të ngjeshur në një mjet transporti në një ditë mbytëse, ato kafshë të gjora, të mbuluara me jashtëqitjet e tyre dhe të dehidratuara nga vapa, më vështruan me sytë e tyre të mbushur me dhimbje. Ashtu sikurse dr. Armaiti May ka dëshmuar, zemra e tyre po rrihte në 180 rrahje/minutë.

Unë mendoj se ne nuk kemi vetëm të drejtën, por edhe detyrimin për të ndihmuar njerëzit dhe kafshët që po vuajnë. Toronto Pig Save, grupi në të cilin jam pjesë, vazhdon t’u japë ujë derrkucëve dhe kafshëve që pritet të jenë ushqimi i radhës nëpër markete.

Kam një dyshim në mendje që më shqetëson për një kohë të gjatë: Nëse në atë kamionçinë do të kishte qen e jo derrkucë, veprimi im do të duartrokitej dhe unë do të vlerësohesha me një çmim e jo me një padi!

Ky është standardi i dyfishtë që “i servirim” vetes. Ashtu si qentë, edhe derrkucët, si të gjitha kafshët, qofshin prodhues të produkteve ushqimore apo jo, janë shumë miqësorë, besnikë dhe të ndjeshëm; kanë një ndjeshmëri të madhe ndaj ambientit rrethues e janë inteligjentë. Ata luajnë shumë dhe janë tepër të afërta. Ndiejnë shumë dashuri e gëzim, gjithashtu edhe dhembje e frikë. Janë të gatshëm të mbrojnë familjen dhe miqtë e tyre. Madje derrkucët janë të njohur për përpjekjen e tyre për të shpëtuar fëmijët nga mbytja.

Ne jetojmë të gjithë në të njëjtën botë: njerëz dhe derrkucë! Unë po përballem me akuza në gjykatë sepse u mundova të ndihmoja disa kafshë në orët e tyre të fundit. Mizoritë ndaj derrkucëve apo kafshëve të tjera na prekin të gjithëve. Duke i luftuar këto mizori e duke u bërë një me këtë mjedis do të arrijmë atë që synojmë të gjithë: bashkimin me natyrën”. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje