Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historia e Hachiko-s (pjesa e dytë)

Historia e Hachiko-s (pjesa e dytë)
August 11
20:22 2016

Nëse nuk e dini historinë e Hachiko-s, me siguri filmin me të njëjtin titull e keni parë. Përveç faktit që atë film nuk mund ta shikosh pa harxhuar 20 pako me peceta, duhet të dini se historia është e vërtetë.

Shpesh ndodh që historia përsërit vetveten. E tillë ka ndodhur edhe me historinë e Hachi-t, i cili priti të zotin për plot 10 vite, paçka se ai kishte ndërruar jetë.

Ndërkohë në Brazil ka ndodhur një histori shumë e ngjashme.

Negao quhet qenushi që ka pritur për 8 muaj të zotin e tij, nëse mund ta quajmë kështu, jashtë spitalit, ku ai ndërroi jetë.

I zoti i tij ishte një i pastrehë, i cili vuante nga një infeksion dhe një ditë sëmundja i kishte përparuar duke i rrezikuar organet jetësore. Ambulanca e kishte dërguar menjëherë në spitalin më të afërt, atë të Ruth Cardoso, në Santa Catarina, Brazil. Negao vrapoi përkrah ambulancës për të shoqëruar të zotin dhe pas mbërritjes në spital, u ul në zonën e parkimit edhe filloi të priste.

Për plot 8 muaj, Negao priti në parkingun e spitalit për mikun e tij, duke mos e kuptuar që ai kishte ndërruar jetë.

“Kemi parë plot pacientë të sëmurë të cilët i shoqërojnë qentë, por një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë, përveçse në filma”, – shprehet Renaldo Marquato, mjek në spitalin në fjalë.

Paçka se dy familje janë përpjekur ta adoptojnë, Negao nuk ka pranuar të lëvizë nga vendi pa të zotin.

Kjo gjë ka pasur një impakt të madh te mjekët, infermierët dhe personeli i spitalit, saqë ata tashmë e shohin qenushin si pjesëtar të familjes.

“Ai mund të qëndrojë këtu me ne për sa kohë të dëshirojë”, – thotë Giselle Bianchi, drejtuese e spitalit. “Për sa kohë Negao qëndron këtu, ne do t’i japim atij përkujdesje, ngrohtësi dhe të gjithë dashurinë që i nevojitet”.

Të tilla histori frymëzuese na tregojnë se miq të vërtetë nuk janë vetëm njerëzit, por edhe “katër putroshët”, prandaj përkujdesja dhe dashuria ndaj tyre nuk është kurrë e tepërt.

 

 

Shperndaje