Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

#10yearschallenge, strategji e Facebook për të marrë të dhënat tona?

#10yearschallenge, strategji e Facebook për të marrë të dhënat tona?
January 18
12:15 2019

Përgjatë kësaj jave një sfidë e re pushtoi rrjetet sociale, sidomos Instagram-in dhe Facebook-un. #10yearschallenge i kërkonte përdoruesve që të publikonin një foto të para një dekade dhe një foto të këtij viti, për të parë se si kanë ndryshuar përgjatë kësaj kohe.

Mbi 5.2 milionë njerëz e realizuan këtë sfidë, mes tyre dhe shumë personazhe të njohur, e megjithatë ky trend nuk ka kaluar pa ngritur dyshime mes përdoruesëve të rrjeteve sociale. Këto dyshime janë shtuar sidomos pas një artikulli të publikuar në “Wired”, nga Kate O’Neill, e cila tregon se #10yearschallenge është më shumë se një lojë argëtuese për tu ndarë me miqtë.

“Imagjinoni nëse ju duhet të ndërtoni një algoritëm të njohjes së fytyrës, bazuar mbi ndryshimet që kanë pësuar njerëzit me kalimin e moshës. Patjetër do t’ju duhej një bazë të dhënash e madhe, e mbushur me foto të hedhura nga vetë njerëzit dhe për më tepër do të ishte perfekte nëse do të dinit se fotot kanë një distancë 10 vjeçare mes njëra tjetrës.”-thotë O’Neill, duke dhënë një panoramë për atë që është përpjekur të bëjë Facebook.

Logjikisht, mund të mendohet se ky rrjet social i ka tashmë fotot tona, pasi shumica prej nesh ka më shumë se 10 vite që e ka hapur Facebook-un, por O’Neill argumenton se përdoruesit jo gjithmonë i hedhin fotot në rend kronologjik, ose për shembull në fotot e profilit mund të vendosin dhe pjestarët tanë të familjes, personazhet tona të preferuara apo fundja dhe foto të modifikuara që nuk japin një pamje të qartë tonën. Kjo sfidë jo vetëm që e mundëson këtë por bën Facebook që të marri dhe të dhëna të tjera si mosha jonë apo çdo informacion që shkruajmë bashkangjitur me të.

Amy Webb, një profesoreshë në Universitetin e New York-ut, e cila është duke punuar momentalisht me një projekt që mëson robotët se si të manipulojnë njerëzit, e mbështet këtë tezë. Sipas saj një “challenge” i tillë mund të marrë të dhëna të mjaftueshme që të mësojë kompjuterat të llogarisin algoritme për manipulim. Gjithsesi vetë Facebook është shprehur se nuk përfiton asnjë gjë nga kjo sfidë dhe është një trend i nisur nga vetë përdoruesit. Përveçëse na kujton se si visheshin njerëzit në 2009, nuk ka asnjë qëllim tjetër të fshehur pas. Plus zyrtarët e rrjetit social i kujtojnë përdoruesëve se njohjen e fytyrës mund ta vendosin dhe heqin sipas dëshirës.

Prej pak vitesh Facebook është duke punuar që ta bëjë njohjen e fytyrës një opsion të përherëshëm. Nëse e keni vënë re, sa herë që ju bëjnë “tagg” në një foto ose kur jeni pjesë e postimit të një personi tjetër, Facebook-u ju njeh automatikisht, dhe ky është rezultat i të dhënave që ka për ju. Edhe kjo sfidë e re, nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe pasi mund të ndihmojë për shembull autoritetet të gjejë përsonat e zhdukur, sidomos ata që janë deklaruar të tillë prej disa vitesh. Por nuk ka një ligj që ta ndalojë rrjetin social të përdori fotot tona gjithsesi, edhe këto të fundit që kemi hedhur për të bërë #10yearschallenge, për ti vënë në dispozicion të kompanive të reklamave, në bazë të informacioneve që mbledh nga ato. Si qëndon e vërteta, mbetet për tu parë në vazhdim. /Blitz.al/     

Share