Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ju tregojmë se si të ruani format perfekte trupore edhe gjatë pushimeve verore pa mbajtur dietë

Ju tregojmë se si të ruani format perfekte trupore edhe gjatë pushimeve verore pa mbajtur dietë
August 08
13:57 2017

Tha dikush dietë? Tani në verë? Me siguri shumë prej jush do të thoshit se kjo është për të qeshur sepse vera është vetëm për qejf dhe për të provuar gjëra të reja e jo për të vrarë mendjen (dhe për të dëshpëruar stomakun) me dieta të forta. Ndaj harrojeni, ky artikull do t’ju tregojë se si të ruani peshën tuaj vetëm duke pasur thjesht një kujdes më të vogël në zgjedhje, por jo të ndaloni së ngrëni ushqimet që pëlqeni.

Nëse ju i ndiqni këto këshilla nuk do të vuani më pas për të hequr kilet e tepërta dhe do të harroni një herë e mirë mendësinë se vera të shëndosh pasi nuk ju shëndosh vera, por zgjedhjet që bëni!

  • Kujdes me mëngjesin që serviret në hotelet ku qëndroni, sidomos nëse është bufe e hapur. Në mënyrë që të mos vërdalloseni dhe të zgjidhni gjithçka shihni aty, thjesht mund të mendoni që një natë përpara se çfarë do konsumoni për mëngjes dhe mos të ndërroni mendjen. Kur të vijë mëngjesi shkoni direkt dhe zgjidhni vetëm produktin që keni menduar paraprakisht.
  • Qëndroni aktivë dhe kur themi këtë, nuk kemi parasysh faktin e të bërit palestër gjithë ditën, thjesht nëse jeni duke qëndruar afër detit ose pishinës mirë është që herë pas here të bëni not dhe jo vetëm të lageni për t’u freskuar.
  • Kur të konsumoni ushqim, kini mendjen vetëm aty. Shpesh gjatë pushimeve, gjëra të tjera na marrin mendjen dhe e kemi të vështirë të përqendrohemi tek ushqimi kur hamë. Ndaj dhe nuk e llogarisim se sa shumë konsumojmë dhe shpesh hamë edhe më shumë nga sa duam dhe duhet, sepse thjesht nuk e kemi mendjen.
  • Gjumi është shumë i rëndësishëm dhe duke qenë se në verë abuzohet me të, mirë është që ju ta mbushni ditën me shumë aktivitete në mënyrë që në darkë t’ju flihet dhe jo të qëndroni deri në agim thjesht sepse trupi juaj nuk është lodhur mjaftueshëm për të pushuar.
  • Qëndroni të hidratuar dhe ky është çelësi. Konsumoni ujë gjithë kohës sepse vetëm uji mund të bëjë që trupi juaj të qëndrojë në temperaturën e duhur kur jashtë bën shumë nxehtë.
  • Zgjidhini pijet me kujdes. Një koktej duket shumë i bukur në Instagram i fotografuar pranë pishinës, por askush nuk do ta kuptojë nëse lëngu brenda është një pije alkoolike apo thjesht një lëng frutash, ndaj zgjidhni me zgjuarsi.

/Blitz.al/

 

Shperndaje