Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) VIP-at shqiptarë kthehen në vegjetarianë. “Veggies” ka disa këshilla për ta

(Intervistë) VIP-at shqiptarë kthehen në vegjetarianë. “Veggies” ka disa këshilla për ta
March 14
19:02 2017

Së fundmi, vegjetarianizmi dhe veganizmi janë kthyer në modë. Shumë njerëz vendosin të ndryshojnë mënyrën e tyre të ushqyerjes për të qenë më të shëndetshëm, disa të tjerë e zgjedhin këtë ndryshim sepse janë shumë të dashuruar pas kafshëve.

Ky regjim ushqimor është shumë i përhapur jashtë vendit, së fundmi edhe në Shqipëri. Shumë personazhe publike shqiptare janë dashuruar pas kësaj mënyre të të ushqyerit duke e bërë pjesë të dietës së tyre. Alba Çobaj, Arbër Çepani, Linda Halimi, Niki Delijorgji dhe Real One kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke hequr dorë prej mishit e duke u kthyer në vegjetarianë.

Por ka edhe disa personazhe të tjera, si Fatma Haxhialiu, Aulona Musta, Xhemi Shehu dhe Olta Gixhari, që kanë zgjedhur të ndjekin një dietë detoks, që e mundëson “Veggies”.

Restoranti “Veggies” është hapur pak kohë më parë në Tiranë dhe përgatit ushqime shumë të veçanta për të gjithë vegjetarianët dhe veganët, por jo vetëm kaq, “Veggies” përgatit edhe disa dieta detoks, që janë mjaft të shëndetshme dhe të përgatitura me kujdes. Blitz.al ka kontaktuar me administratoren e “Veggies”, Ina Kadi, e cila na ka dhënë më shumë informacion e detaje për sa i përket këtij regjimi dhe restorantit.

  1. Çfarë ju frymëzoi ju për të hapur “Veggies”?

-“Veggies” ka lindur nga një eksperiencë tërësisht personale. Shtatori i vitit 2015 ka qenë muaji kur mora në dorë një libër i cili në mënyrë shumë shkencore shpjegonte procesin e tretjes së të gjitha proteinave shtazore në trup. Asokohe vuaja nga mbipesha e nga astma bronkiale. Faktikisht më ndodhi shumë natyrshëm të hiqja përfundimisht dorë nga konsumi i mishit, peshkut dhe laktozës. Arsye tjetër jo më pak e rëndësishme ishte impakti emocional.

Allen Carr shkruan: “Nëse lëmë një fëmijë me një mollë dhe një lepur, cilin do të zgjedhë për të ngrënë e cilin për të  luajtur? Nëse luan me mollën dhe ha lepurin atëherë unë do t’i ble një makinë”.
Pra ne, si qenie njerëzore shumë komplekse, nuk jemi programuar për të qenë mishngrënës, por evoluimi na ka çuar në këtë stad.

  1. Po ju vetë e ndiqni këtë regjim?

-Kam një nxitje të mos kufizohem me ushqimin, ndaj nuk e pata fare të vështirë të kthehem në vegjetariane. Sot mit është regjimi i mërzitshëm dhe njerëzit kufizohen vetëm te frutat e perimet. Ndërkohë është komplet e kundërta. Fill pas 21 ditëve kur trupi fillon të pastrohet nga çdo toksinë shtazore, fillon të ndiejë shijen e vërtetë të ushqimeve që konsumon. Imagjinata për shije të reja dhe kombinime të veçanta është ajo që të shoqëron në çdo hap dhe të lë ndjesi shumë të lumtur pas çdo vakti. Fillon avash-avash të ndihesh e lehtë, e lumtur dhe në balancë me veten e natyrën.

  1. Sa e vështirë është për një njeri të kthehet në vegan?

– Një herë që njerëzit bëjnë një zgjedhje me ndërgjegje të plotë nuk ka më kthim prapa. Nuk është më sakrificë, por një jetë e re ku përveçse jeton me optimizëm dhe buzëqeshje nuk mendon më nga çfarë ke hequr dorë, por çfarë ke fituar: shumë vite jetë të shtuara të shëndetshme. Qesh kur më kujtohen drekat dhe darkat me miqtë, ku shqetësoheshin se çfarë do të haja. Ndërkohë për mua ishte shumë e thjeshtë. Më mjaftonte një pjatë me perime dhe shijoja më mirë tavolinën me miqtë.

  1. Ka disa njerëz që nuk e hanë mishin (janë vegjetarianë) dhe kjo mund të jetë e kuptueshme disi, por të ndalosh edhe bulmetin a nuk është e pamundur kjo?

-E vërtetë që ndryshimi nga vegan në vegjetarian është shumë i madh, por i njëjti ndryshim ndodh edhe në organizëm njëkohësisht. Jetojmë në një botë shumë të industrializuar dhe të shpejtë me ritmet e punës. Dëgjoj shumë raste vajzash 20-25 vjeçe të jenë intolerante ndaj laktozës, ndaj glutenit  dhe kjo është alarmante. Pra, mendoj se çdokush duhet të ruhet për konsumin e kontrolluar të mishit dhe bulmetit. “Veggies” nuk është hapur për t’i kthyer njerëzit në vegjetarianë dhe veganë. Absolutisht jo, ne nuk duam të ndërhyjmë në zgjedhje personale. Ne jemi hapur në Tiranë për të ofruar një alternativë të ushqyeri ndryshe, shëndetshëm dhe me zemër. Sikur një vakt në ditë të jetë vegan në dietën e çdokujt, kjo është shumë për komunitetin dhe për veten.

  1. Ushqimet organike në botë janë të shtrenjta, a është e vështirë t’i gjeni këto produkte në Shqipëri dhe a është e njëjta kosto si jashtë?

-Produktet janë një ndër vështirësitë që hasim përditë. Është e vërtetë që çmimet janë shumë të larta dhe kjo është arsyeja që justifikon edhe çmimet e pjatave në restorant dhe planeve dietike detoks. Fatmirësisht, për sa i përket bazës, si fruta, perime, fruta të thata dhe bimë medicinale (me të cilat ne kemi një çaj çudibërës), ne si vend jemi shumë të pasur. Por për ushqime të tjera të importuara, si quinoa, moringa, fara chia, kemi një kontratë me një firmë austriake, nga e cila furnizohemi me produkte të certifikuara organike.

  1. Në Shqipëri nuk janë të gjitha produktet e duhura për veganët, sa i realizueshëm mund të jetë ky regjim?

-Pak më lart thashë se është shumë i lehtë kalimi në vegan. Është vërtet për të bërë zgjedhjen dhe për të ndryshuar ditën. Por çdokush që merr këtë vendim duhet të informohet shumë për sasinë e duhur të proteinave, nga cilat ushqime duhet t’i marrin, si për shembull:  algat spirulina, farat e kërpit. Duhet të informohen mirë për çdo vitaminë dhe mineral që trupi merr nga mishi dhe bulmeti për t’i zëvendësuar me burime bimore. Pra, heqja e qumështit të lopës vjen nga konsumimi i lartë i perimeve jeshile. Kombinimi i ushqimeve vegane për të pasur çdo vitaminë  është ndër sukseset më të mëdha të dietës tonë. Deri aty sa kemi arritur të shërojmë njerëz nga diabeti, nga tensioni, mbipesha e kolesteroli.

  1. Çfarë duhet të hanë veganët në këto kushte për të marrë proteinat, yndyrat dhe karbohidratet e nevojshme?

-Veganët mund të hanë çdo gjë.

  1. A mund të cilësohet i dëmshëm veganizmi dhe mund të na tregoni të mirat e të këqijat e tij?

– Të mirat mund t’i përmbledh në pak fjalë. Veganizmi është vërtetuar shkencërisht se ka arritur të shërojë edhe sëmundjet më të rënda, si tumoret e pashpresa.

Ndërkohë për të këqijat është një dhe e vetme. Si çdo gjë tjetër që kthehet në modë jashtë Shqipërisë ka arritur një industrializëm shumë të madh nga kërkesa e lartë, e cila ka çuar në prodhim të shumë produkteve vegane, si djathi vegan, mishi vegan, peshku vegan, gjalpi vegan, që në shumicën e rasteve nuk janë organike, pra të prodhuara në laborator. Këto janë njëlloj të dëmshme si mishi. Pra, biem pre e të njëjtit kurth.

Këshilla është gjithmonë përdorimi i produkteve të freskëta në gjendjen e tyre natyrale.

  1. A do t’i këshillonit njerëzit që të bëhen veganë? Çfarë do t’u thoshit atyre?

-Shndërrimi i njerëzve në veganë në mbarë botën i përngjan një revolucioni të mënyrës së jetesës dhe perceptimit mbi jetën e vlerave të saj. Duke filluar që nga arsyet bio etike deri tek ato shëndetësore, veganizmi është kthyer në domosdoshmëri për të qenë njerëz më të mirë, më paqësorë dhe më jetëgjatë. Nëse nuk do të mund të jetoni gjatë gjithë jetës tuaj si veganë ju këshilloj që t’i nënshtroheni një programi ushqimor vegan minimalisht për 100 ditë në vit.

Planeti dhe shëndeti do t’ju falënderojnë për  këtë gjë./Blitz.al/

Komento
Shperndaje