Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Instruktori shqiptar do t’ju surprizojë: “Si të arrini trupin perfekt për këtë verë”

(Intervistë) Instruktori shqiptar do t’ju surprizojë: “Si të arrini trupin perfekt për këtë verë”
July 10
15:58 2017

Fitness-i është shumë i rëndësishëm për të mbajtur trupin në formë. Çdokush duhet të stërvitet në mënyrë që të jetë i shëndetshëm, si dhe të arrijë përmasat e duhura.

Çdokujt i duken ushtrimet e fitness-it të thjeshta, por në fakt nuk është kështu, pasi duhet të dini si të stërviteni dhe normalisht ju nevojitet një instruktor për t’ju këshilluar e ndihmuar.

Blitz.al ka kontaktuar me instruktorin e një ndër palestrave më “in” të kryeqytetit, Fatmir Bejo, i cili ka dhënë këshilla të vlefshme në këtë sezon veror.  Në këtë intervistë, Fatmiri ka shpjeguar edhe se çfarë taktikash duhet të ndjekin të apasionuarit pas palestrës, por edhe ata që “e urrejnë” atë.

1.Sa kohë keni që ushtroni profesionin si instruktor fitness-i?

-Profesionin si instruktor fitness-i e kam filluar pas një specializimi në Gjermani  dhe që në atë kohë kam 5 vjet që e ushtroj.

2.E shihni thjesht si një profesion që duhet bërë apo e bëni me pasion?

-Gjithçka ka filluar nga pasioni  e nga përvoja. Mendoj se nëse nuk e ushtron me pasion  dhe nëse nuk përcjell te klienti  pasionin për fitness-in, atëherë nuk je në gjendje ta ushtrosh si profesion.

3.Cilat janë vështirësitë që hasni gjatë punës suaj?

-Si profesion që ka të bëjë me trupin dhe shëndetin, hasen vështirësi. Gabimet kryesore që bëjnë njerëzit nga mungesa e informacionit janë: 1 kohëzgjatja e stërvitjes; 2 mania për të punuar me pesha të rënda, gjë që i dëmton  dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, parapërgatitja për të bërë seancën stërvitore duke mos respektuar rregullat e stretching-ut dhe mobilizimit.

4.A janë të interesuar njerëzit të frekuentojnë palestrën vetëm për të çliruar stresin edhe në qoftë se kanë forma të mira trupore?

-Po, një nga benefitet primare të fitness-it është reduktimi i stresit. Në shumë studime tregohet se gjatë ushtrimeve reduktohet niveli i hormonit të stresit dhe gjithashtu reduktohet risku i sëmundjeve kardiake.

5.Kohët e fundit palestra është kthyer në një hobi, me çfarë rastesh keni të bëni më shumë: për t’u dobësuar apo për shtim në masë?

-Nuk është se e peshon dot si raste se janë dhe të ndara pak me anë gjinore. Kryesisht meshkujt janë më të dhënë pas masës muskulore, sidomos mosha 25 deri në 40 vjeç, ndërsa femrat vazhdojnë të jenë brenda preferencave për një trup fit, jo me muskuj.

6.Sa orë në javë duhet të ushtrohen njerëzit në palestër?

-Kohëzgjatja e një seance stërvitore minimalisht zgjat rreth 60 minuta dhe për sa u përket seancave gjatë një jave rekomandohen 4 deri në 5 seanca pasi 6 mund të jenë një ngarkesë e tepërt për trupin.

7.Çfarë diete do t’u rekomandoje atyre që duan të bien në peshë?

-Nuk mund ta quaj një dietë të mirëfilltë, do doja ta quaja regjim ushqimor. Brenda këtij regjimi ushqimor sugjeroj vakte ushqimore  me bazë proteinike, të tilla si: veza, mishi i pulës, peshku, mishi i kuq etj. Do të këshilloja përdorimin e karbohidrateve komplekse (tërshëra, patatet e ëmbla, oriz integral, quinoa etj.) pasi nuk lejojnën ngritjen e hormonit të insulinës që është shkaktar i depozitimit të sheqernave në qeliza dhjamore, gjithashtu dhe përdorimin e perimeve në masë  të madhe pasi janë të pasura me antioksidantë.

8.Po atyre që duan të shtojnë masën muskulore?

-Te pjesa e ndërtimit të masës muskulore desha të jem më i detajuar. Dietat që u sugjeroj klientëve të mi bazohen te numri i vakteve dhe vlerat që këto vakte përmbajnë, mund të jenë 5 deri në 6 vakte gjatë fazës së masës; kryesorjanë këtë dietë është që ne duhet të marrim 1.8 deri në 2 g proteina për çdo kg të peshës trupore dhe për çdo 1 g proteinë duhet të marrim 3.5 deri në 4 g karbohidrate dhe 0.3 g/kg të peshës trupore yndyra të mira. Por kjo normalisht është specifike në varësi të organizmit të njeriut.

9.Çfarë ushtrimesh rekomandoni ju gjatë stinës së verës për njerëzit që duan të humbin peshë?

-Për ata që duan të bien në peshë, sugjeroj një stërvitje intensive  me supersete , dropsete. Ushtrimet të jenë me shumë përsëritje dhe gjithmonë këmbëngul për pjesën e kardios dhe mënyrën se si ajo duhet bërë.

10.E rekomandoni përdorimin e suplementeve esenciale?

-Pa dyshim që po! Në qoftë se në botë ka 40 vjet që përdoren suplementet ka ardhur koha që edhe ne si popull të informohemi për përfitimet prej tyre. Mendoj se çdo sportist që të stërvitet intensivisht ka nevojë për suplemente për të pasur një rikuperim më të shpejtë dhe për t’i mbajtur larg dëmtimeve, mendoj që çdo individ që kërkon të ketë një performancë të lartë në çdo lloj sporti duhet të përdorë suplementet e duhura bashkëngjitur me dietën specifike.

11.Po ju vetë i përdorni?

-Personalisht i përdor suplementet. Krahas vakteve gjatë ditës përdor edhe suplemente, të tilla si:

-Protin whey

-Bcaa (aminoacide)

-Vitamina dhe minerale

Të gjitha këto për të kompletuar sasinë e vlerave ushqimore që marr.

12.Sa kohë duhet përafërsisht që një njeri mbipeshë të arrijë në peshën që kërkon?

-Është diçka që nuk mund të përcaktoj me kohë, pasi çdo gjë varet nga përkushtimi, disiplina dhe nga eksperienca që kam, di të them që pjesa më e  madhe e programeve për të arritur një qëllim për sa i përket fitness-it janë programe 10 – 12 javore, ku mund të shohësh përfitimet e një programi stërvitor.

13.Po në qoftë se njerëzit heqin dorë nga palestra, marrin sërish peshën që kishin apo më shumë se kaq?

-Te kjo pjesë futet  sërish në punë mënyra e të ushqyerit. Nëse  ju keni marrë kulturën dhe informimin e duhur për sa i përket ushqyerjes, mund të parandaloni shtimin në peshë.

14.Tani në verë thuhet se palestra është më e vështirë për t’u bërë. Ju si mendoni, është e vërtetë apo është një justifikim?

-Palestra është investim për trupin tuaj dhe kur ju investoni për veten duhet të shtohet doza e obligimit dhe dëshirës.  Nuk ka asnjë periudhë të vështirë për të bërë palestër.

15.Çfarë këshillash keni për njerëzit e apasionuar pas  palestrës?

-Është gjëja më e bukur kur palestra kthehet në pasion. Këshilla ime është  “never stop”, puna e madhe gjithmonë shpërblehet, asnjëherë mos u dorëzo! Një këshillë më konkrete do ishte kjo: Shkoni në palestër, përpiquni t’i shtyni limitet tuaja gjithmonë! Përpiquni që të krijoni një trup brenda simetrisë dhe proporcionit të duhur! Nuk duhet të anashkaloni ushtrimet e forcës, si deadlift, squat, bench press, pasi janë ushtrime të cilat nxisin nivelin hormonal të trupit dhe japin performancë më të mirë trupore.

16.Po për ata që nuk ushtrohen?

-Sa më shumë sport, aq më shumë mirëqenie, do të ndiheni më të lumtur dhe më të bukur. Do të doja ta mbyllja me një shprehje: “Nëse dëshiron diçka që nuk e ke pasur më parë duhet të bësh diçka që nuk e ke bërë më parë”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje