Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dëshironi të humbni peshë pa u stresuar? Ndiqni këto këshilla nga ekspertët

Dëshironi të humbni peshë pa u stresuar? Ndiqni këto këshilla nga ekspertët
September 05
11:43 2016

E vërteta e hidhur është se sa vjen e më tepër, të rriturit, por edhe fëmijët, kanë tendencën të kthehen në obezë. Lufta ndaj obezitetit është një nga më të vështirat këtë dekadë që jetojmë, por megjithatë nuk është e pazgjidhshme; duhet vetëm vullnet dhe këshillim i mirë.

Shumica e njerëzve që janë mbi peshë kanë vështirësi për të ndryshuar mënyrën se si ushqehen dhe stërviten më tepër sesa pamundësia për të arritur rezultatin e duhur. Edhe pse duhet thënë se gjenetika luan një rol kyç në betejën kundër kileve të tepërta, çelësi për të arritur objektivin është në fakt këmbëngulja dhe ndjekja me përpikmëri e këshillave nga ekspertë që e kanë provuar këtë “betejë” më parë.

Më poshtë ndiqni se cilat janë disa prej këshillave kryesore që të arrini të humbni peshë pa pasur nevojë të stresoheni tepër:

  1. Të qenit i shëndetshëm është një mënyrë jetese

Mos u përpiqni të bëni një dietë thjesht për të humbur disa kile, sepse kjo nuk do të funksionojë. Ju duhet të mendoni për një “dietë” afatgjatë. Pra, mos u mundoni të ndiqni një dietë strikte për sa u përket vakteve ushqimore, mjafton të eliminoni ushqimet të cilat ju e dini mirë se ju bëjnë që të shtoni kalori.

2. Aktiviteti fizik nuk duhet të jetë i mërzitshëm

Jo domosdoshmërish duhet të bëni palestër nëse e urreni palestrën. Provoni një sport që e keni dashur gjithmonë apo diçka për të cilën ju keni interes. Nëse keni dëshirë të kërceni, thjesht bëni këtë. Ose nëse nuk shijoni asgjë që ka lidhje me aktivitetin fizik provoni të bëni më shumë ecje se zakonisht. Thelbi qëndron në faktin se ju duhet ta shijoni atë çka bëni dhe të mos e merrni me stres.

3. Nuk ka problem nëse e “prishni” ndonjëherë

Edhe njerëzit që kanë një trup perfekt bëjnë ndonjëherë “shkelje”. Nëse jeni të fiksuar pas një ushqimi, si pica apo ëmbëlsirat, sigurisht që mund të inkurajoni veten duke qenë rigorozë në ndjekjen e këshillave dhe ta “shkelni” kur të ndiheni keq moralisht. Por kujtoni se këto “shkelje” nuk duhet të jenë të vazhdueshme. Kujtoni se për çdo shkelje ju duhet të përpiqeni më pas dyfish për t’i humbur ato kalori që keni rimarrë.

4. Sfidoni vazhdimisht veten

Mundohuni që gjithmonë të përmirësoni veten dhe të shtoni përkushtimin ndaj rrugëtimit tuaj. Nëse sfidoni gjithnjë veten do të ndiheni akoma më mirë edhe më të motivuar për të arritur objektivin tuaj.

5. Jini mendjehapur

Ndërkohë që jeni në këtë rrugëtim, mos u tregoni egoistë dhe të mbyllur. Provoni gjëra të reja dhe eksperimentoni me mënyrën e jetesës. Merrni shembuj nga ata që e kanë kaluar me sukses këtë sfidë dhe mos ngurroni të motivoni veten vazhdimisht me eksperienca të reja.

6. Mos analizoni më shumë seç duhet

Ju nuk duhet ta mendoni këtë rrugëtim duke e analizuar gjithë kohës sepse kështu më tepër do të stresoheni dhe do t’ju duket shumë e vështirë për të arritur vijën e përfundimit. Në fakt, ky është një rrugëtim dhe jo një garë.

7. Mos e kini mendjen te numrat në peshore

Më shumë sesa pesha juaj, me rëndësi është mënyrë se si ju ndiheni. Nëse keni filluar të ndiheni më të shëndetshëm, e shihni që lëvizni më me lirshmëri dhe ndjeni trupin tuaj më të lehtë, atëherë jeni në rrugën e duhur. Mos u fiksoni te peshorja, sepse kjo do t’ju stresojë dhe demotivojë.

Komento
Shperndaje