Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ja cilat janë 5 destinacionet shqiptare më të sugjeruara për pushime

July 19
17:26 2016

Pushimet verore janë tema më e diskutuar gjatë këtyre ditëve të nxehta. Ndërkohë që ka nga ata që tashmë janë duke pushuar, ka ende të pavendosur që nuk kanë zgjedhur se ku do t’i kalojnë ditët që premtojnë çlodhje. Dikush për shkak të kohës ose për shkak të mungesës së informacionit nuk di ku të drejtohet. Për t’jua hequr këtë barrë dhe për të përshpejtuar planifikimet tuaja, Blitz.al ka kontaktuar “Discover Albania” për t’iu dhënë këto sugjerime të vlefshme.

Ne ju rendisim pesë destinacionet shqiptare më të sugjeruara për këtë verë, ndër të cilat ju mund të zgjidhni. Det dhe mal, çfarëdo që të dëshironi, shfletoni këtë galeri.

5 destinacionet e sugjeruara:

  1. Dhërmi – Drimadhes – Jal – Palas
  1. Karaburun – Sazan
  1. Ksamil – Krorez – Kakome
  1. Valbonë – Theth
  1. Liqenet e Lurës

 

  1. Dhërmi – Drimadhes – Jal – Palas

 

Megjithëse janë mjaft të dëgjuara, shumë pak persona kanë pasur mundësi t’i njohin dhe t’i eksplorojnë këto zona në imtësi pasi janë mjaft të veçanta. Veçantia e këtyre zonave, përveç jetës së natës që ofrojnë për pushuesit, është se janë në radhë të parë plazhe shumë të bukura, të karakterizuara nga uji i pastër dhe relievi piktoresk. Përmes udhëtimit me skaf mund të vizitohen plazhe përrallore. Në pjesën e jashtme të Karaburunit gjendet një ndër gjiret më të bukura në Shqipëri.

Gjiri i Gramës e merr emrin nga greqishtja duke qenë se në të janë të gdhendura germa greke. Është një plazh që duket sikur është krijuar nga dora e njeriut për të simbolizuar perfeksionin, parajsën në tokë. Shumë pranë tij gjendet Gjiri i Shën Andreas, një gji shumë i vogël që të mundëson relaksin. Gjatë rrugës mund të vizitohen shpella të ndryshme që janë rrëzë shkëmbinjve. Ato janë një tjetër atraksion që e bëjnë këtë udhëtim fantastik. Nëse jeni me fat, mundet që të shijoni shoqërinë e delfinëve gjatë kohës që udhëtoni për në Gramë.

Në krahun tjetër të Dhërmiut gjendet Shpella e Piratëve. Aty skafi mund të futet lehtësisht brenda saj për ta hulumtuar me detaje. Pak më tutje është plazhi fantastik i Gjipesë, një oaz tjetër që të sjell ndërmend dokumentarët e “National Geographic” teksa eksploron botën përrallore. Për atë që ofron për pushuesit konsiderohet edhe si Gjiri i Perëndive (GJI-PE).

Nuk mbetet prapa Gjiri i Jalit, një plazh i vogël që njihet si “Akuarumi”, sepse ngjason me  një akuarium të madh. Mes gjireve gjenden edhe shumë plazhe të tjera të vogla për 10-15 persona që nuk duan turmën. Kini parasysh që duhet të pajiseni mirë me ushqime dhe gjithçka tjetër të nevojshme, për shkak se janë plazhe të virgjëra ku vështirë të gjesh atë që mund të duhet. (Vetëm në Gjirin e Gramës dhe në Gjipe mund të gjesh disa lokale të përshtatura në natyrë.)

  1. Karaburun – Sazan

Karaburun nga turqishtja do të thotë “Hundë e zezë”, por në gjuhën shqipe porsa përmendet Karaburuni të shkon mendja te plazhet e bukura dhe të virgjëra që gjenden në të. Zhampovel, Shën Vasil, Shën Jan, shpella e Haxhi Alisë, Kepi i Gjuzës janë të gjitha zona që mund të eksplorohen. Sigurisht që këtu rekomandojmë udhëtimin me skaf. Jo vetëm për adrenalinën që ofron, por se përveçse një udhëtim i shpejtë, është i ndaluar udhëtimi me makinë.

Në vijim mund të eksplorohet ishulli i Sazanit, një ishull sa misterioz, aq edhe i bukur.

 

  1. Ksamil – Krorez – Kakome

Shumë nga ju që po na lexoni mund të keni qenë në Sarandë, por sa nga ju kanë qenë në Krorez, Kakome, Ksamil, Pasqyrat, Pema e Thatë, Gjiri i Hartës?

Në Kakome dhe Krorez aktualisht mund të shkohet vetëm me rrugë detare. Duhet të theksojmë se janë dy plazhe të virgjëra dhe mjaft të bukura, ku kthjelltësia e ujit të magjeps.

Nga ana tjetër, mund të vizitoni Ksamilin dhe 3 ishujt e tij. Nëse keni pak kohë të lirë, atëherë iu rekomandojmë Butrintin. Jo më kot këto destinacione i kemi përmbledhur në një tur të vetëm të titulluar “Turi i Jugut”. Për 6 ditë mund të ekspolorojmë të gjitha këto bukuri të Rivierës Shqiptare. Ky tur është vlerësuar me çmimin si turi më i mirë në Shqipëri për vitin 2015 nga “Travel Magazine”.

Turi i plotë që përmban 3 destinacionet e mësipërme:

 

  1. Valbonë – Theth

Këto dy fshatra me bukuri alpine kanë një karakteristikë të veçantë. Duhet pak kohë për të kryer kalimin Valbonë-Theth ose anasjella në këmbë, duke ecur përgjatë shtegut, për shkak se po të shkosh me makinë udhëtimi zgjat rreth 9 orë, ndërsa në këmbë realizohet për 6 orë. Janë vetëm 12 km larg njëra-tjetrës, të ndara nga Qafa e Valbonës. I kemi vendosur në një grup duke qenë se janë pjesë e destinacionit të titulluar “Kalimi Valbonë-Theth”.

Ky udhëtim është pjesë e një turi më të madh (193 km, 14 ditë) që quhet “Maja e Ballkanit” që në vitin 2013 ka fituar një çmim të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar si “Udhëtimi më i mirë” për 2013-n.

“Tourism for Tomorrow” është një itinerar që lidh Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë duke shëtitur mes përmes alpeve. Kalimi Valbonë-Theth është ndër më të bukurit. Ujëvara, kanione, lumenj, male, traditë, histori dhe një ushqim bio, të gjitha këto jua ofron ky tur. Për më tepër, udhëtimi për të shkuar në Valbonë bëhet nga liqeni i Komanit.

 

 

 

  1. Liqenet e Lurës

At Gjergj Fishta ka thënë: “Kush nuk ka parë Lurën, nuk e njeh Shqipërinë”. Shumëkush mund të mendojë që Lura nuk është më, që gjithçka është shkatërruar dhe është djegur, që liqenet janë zhdukur, por Lura vazhdon të mbetet një destinacion që duhet të vizitohet patjetër.

Duam të theksojmë se përballë natyrës që e shkatërrojnë, këtë vit shumë grupe po kontribuojnë për të mbjellë pemë në Lurë. Jo më kot, kur organizojmë udhëtime atje, për çdo person, mbjellim një pemë për Lurën. Një nismë kjo që vetëm gjatë këtij viti ka bërë që të mbillen më tepër se 5000 fidanë të rinj. 5000 ndoshta janë pak, por janë një mesazh shumë i rëndësishëm.

Nga ana tjetër, mund të vizitohen Lam Lura, Bjeshkët e Lurës, rrënojat e kalave ilire dhe shumë bukuri të tjera.

Mbi  të gjitha, Lura është një fshat që nuk e ka në fokus turizmin dhe për turistët është bukur kur fshati nuk të shikon si turist, por plot kureshtje dhe interes se pse po e viziton këtë vend, duke iu përgjigjur çdo pyetjeje.

Fli, mish qengji në hell, jufka, nuk ke çfarë kërkon më shumë lidhur me ushqimin!

Shperndaje