Risia e Facebook-ut, bllokimi i reklamave të padëshirueshme pa aplikacione shtesë

Për herë të parë, Facebook-u shumë shpejt do të mundësojë bllokimin e reklamave që nuk i dëshironi pa pasur nevojën e një aplikacioni bllokues të veçantë. Andrew Bosworth, presidenti i Reklamave dhe i Platformës së Biznesit, është shprehur se të gjithë kanë kaluar një eksperiencë jo të këndshme me reklamat që na pengojnë të lexojmë atë çfarë duam, që ngadalësojnë kohën e ngarkimit, të hapjes së një faqeje apo ato reklamat që shesin gjëra të cilat nuk i do.
Facebook-u ka bërë ndryshime në parametra dhe thuhet se përdoruesit nuk do të kenë më nevojën për adresa bllokuese reklamash, sepse platforma sociale nuk do të ketë më reklama “të këqija”.
Kjo nënkupton se përdoruesit kanë mundësinë të përzgjedhin vetë duke anashkaluar reklamat mbi të cilat nuk kanë interes. Këto preferenca do të ndalojnë gjithashtu përdoruesit të shohin reklama të bizneseve apo organizatave që i kanë listuar si konsumator. Si shembull, nëse nuk dëshironi të shihni më reklama për macet, mjafton të filtroni fjalën “mace” dhe do të bllokohen të gjitha reklamat rreth tyre./Blitz.al/